“Triumfi i Kombit” – Një libër për kombin, demokracinë dhe

0%

Popujt bëhen kombe të fortë kur ata mençurohen dhe janë të guximshëm e të gatshëm për të përballuar e sfiduar vështirësitë, padrejtësitë, intrigat dhe jo të binden, t’iu nënshtrohen dhe të pajtohen me të keqen.

Po vetëm nga frikacakët, të shtirurit, servilët, hipokritët dhe ata që shiten e blihen lirë për ndonjë interes të ulët nga pushteti e tradhtia, ata që shesin të vërtetën, intelektin e personalitetin, nga ata çfarë nuk pritet si e keqe.

Në qoftë se një komunitet ka të tillë me shumicë, atëherë jo vetëm demokracia, po edhe shteti e kombi janë të rrezikuar, e në qoftë se në një popull të tillët janë me pakicë, duhet treguar shumë vëmendje, kujdes e maturi që të mos i vëmë në krye për të na udhëhequr.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kushtetuta e mirë, qeverisja e mirë dhe drejtësia e zbatuar mirë formojnë shtetin e mirë ligjor dhe e bëjnë kombin patriot, të edukuar e të mirë.

Realiteti ynë tregon se jemi shumë larg dhe prandaj kërkohet ndryshimi, dhe ndryshimin e bën vullneti dhe mençuria e popullit, sepse populli nuk është kurrë i korruptuar, por kur mashtrohet e gënjehet me dogma e hipokrizinë e politikës së keqe, duket sikur e pranon atë, por kjo është e përkohshme.

Nacionalizmi, triumfi i kombit, ka të bëjë me krijimin e shtetit të bashkuar kombëtar, me lirinë e pavarësinë kombëtare, me të drejtat civile, juridike, politike e shoqërore të qytetarëve; ka të bëjë me pacenueshmërinë territoriale, me unitetin e qëndrueshmërinë politike, ligjore e sociale brendakombëtare dhe me njohje e respekt reciprok në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Nacionalizmi modern është i lidhur me demokracinë dhe demokracia është në funksion të nacionalizmit, pasi, po qe se demokracia funksionon keq, atëherë shumica e njerëzve bëhen të korruptuar dhe në një gjendje të tillë shoqërore zor se triumfon e drejta, e vërteta, ligji, e mira dhe patriotizmi, sepse paturpësia dhe amoraliteti që vijnë nga keqfunksionimi politik dhe degradimi i demokracisë dhe nga korrupsioni shfrytëzojnë jetën, sakrificën, mundin dhe fatin e të tjerëve për interesa personale.

Njeriu, populli, kombi dhe të dy shtetet tona janë realitete që vazhdimisht kërkojnë rritje të edukimit, profesionalizmit, progresit, mirëqenies e konsolidimit për të lartësuar nderin, përkatësinë, lavdinë e krenarinë kombëtare.

Për të arritur këtë, nevojitet çrrënjosja e kulturës së mosbesimit tek vetvetja jonë, tek ligji, tek drejtësia e qeverisja, duke u përpjekur që së pari të çrrënjosim kulturën patriarkaliste, egoiste e autokraticiste; kulturën e abuzimit dhe korrupsionit politik e ekonomik, duke ndërtuar shtetin e së drejtës dhe duke i dhënë fund monopolit politik dhe pengmarrjes së sovranitetit të individit, popullit dhe shtetit, për të çliruar potencialet patriotike, ekonomike, politike, kulturore, intelektuale etj., që janë privuar sot nga monopoli politik i klasës sunduese, që pavarësisht alternimeve të pushtetit, trashëgojnë nga njëra-tjetra të njëjtën fizionomi e përvojë të partive të regjimit, të pushtetit korruptiv e kundërpublik.

Bashkimit kombëtar i paraprin sot integrimi ekonomik, politik, demokratik, kulturor, arsimor e gjithëdimensional brendashqiptar, që të jetë mbi interesat personale, miope, meskine e personale të politikanëve, pushteteve e bizneseve korruptive.

Ne, si komb, potencojmë burime kapitale e natyrore dhe aftësi e kapacitete mendore, fizike e patriotike të jashtëzakonshme, duke qenë superiorë ndaj atyre që nuk na duan e na urrejnë; madje dhe vetë urrejtja dhe antishqiptarizmi i tyre vjen nga ajo se ata e njohin inferioritetin e vet ndaj nesh dhe na shohin ne si kërcënim.

Prandaj, historikisht, ata, si sllavë e grekë, kanë shpifur, intriguar, lobuar e përdorur paranë; kanë përdorur dhe dhunën e gjenocidin kundër popullit tonë dhe sot e në vazhdimësi do të përpiqen që të na pengojnë e përçajnë në rrugën tonë të triumfit kombëtar, po do të pësojnë disfatën, se koha është me ne dhe ne po bëhemi më shumë e më të fortë se ata.

Në politikën 20-vjeçare të tranzicionit në Shqipëri kemi dëgjuar prej saj edhe fjalë bombastike për patriotizmin dhe kombin, që nuk janë gjë tjetër dhe që nuk kanë qëllim tjetër veçse si tymnaja për të mbuluar dështimet dhe egoizmin tinëzar për të marrë e rrëmbyer pushtet.

Është hipokrizi që në emër të kombit dhe integrimit të përpiqesh për të legjitimuar vjedhjen e votës së tij, korrupsionin dhe fatkeqësitë e shkaktuara popullit nga paaftësia, papërgjegjshmëria dhe abuzimi; të përpiqesh që të legjitimosh uzurpimin, tensionet e presionet mbi kundërshtarët politikë, të drejtën, median, institucionet e pavarura dhe personalitetet e shtetit.

Nacionalizmi është legjitimitet demokratik dhe jo autokratik. Kombi ynë ka mbijetuar, sepse është një komb vital, i fortë dhe dinamik. Megjithëse i lodhur dhe i përçarë, ai ka triumfuar mbi sfidat dhe vështirësitë e mëdha, sepse në rrethana vendimtare i kanë dalë në krye atdhetarë largpamës që kanë kontribuar me gjithçka kanë pasur për popullin dhe atdheun e tyre.

Po dhe sot e në vazhdimësi kërkohet që elementët patriotë të kontribuojnë sa të munden, që të mos e lënë popullin të bjerë pre e gabimeve dhe mashtrimeve dhe të të këqijave politike e korruptive të atyre që kontrabandojnë me interesat e kombit dhe të atdheut për përfitime pushteti e politike dhe që të mos bjerë pre e çoroditjes që vjen nga dëshpërimi i politikës që nuk ka as interesin e as pasionin patriotik.

Njeriu egoist e mendjemadh që nuk ka aftësi të mira dhe cilësi personale të rëndësishme, me instinktin dhe synimin për të marrë shkëlqim e lavdi, flet shumë për kombin e lavdinë e tij, përpiqet të rishkruajë historinë siç do ai, për t’ia faturuar vetes pothuajse se gjithçka e mirë për popullin fillon vetëm në kohën dhe me sundimin e tij.

Këta tipa pushtetari të etur dhe të sëmurë nga deliri, lavdia pa meritë dhe për pushtet shfrytëzojnë gjithë mundësitë e burimet e pushtetit dhe, me ndihmën e shpurës servile rreth tij, intelektualësh mediokër, medias, analistësh, historianësh manipulues e falsifikatorësh të kohës së vet, si mercenarë apo shërbëtorë të oborrit, fabrikojnë kultin e heroit apo shpëtimtarit, organizojnë tubime shuplakatrokitjesh e brohoritjesh zhurmuese e me luks dekorativ mashtrues, me ngjyrime flamujsh e parullash për lavdinë e heroit të rremë, i cili më shumë se askush tjetër vetëmashtrohet se po hyn triumfalisht në tempullin e lavdisë, po që me siguri e ardhmja e nxjerr prej andej, sepse aty nuk ka vend për lavdinë e rreme dhe të gënjeshtërt; për marrëzinë e tradhtinë.

Fatkeqësisht, është instaluar në traditën tonë politike, qoftë si qeverisje oborri në mbretërinë shqiptare, si politikë regjimi diktatorial në komunizëm, dhe që ka kulmuar si politikë klani e grupazhi, tej mase e korruptuar, në këto vite postkomunizëm, forma e qeverisjes së institucionalizuar e grupit apo klikës së interesit, e nepotizmit dhe klientelizmit.

Ky pushtet i sotëm dhe kjo politikë nuk ka as vizion, as program e as interesa për zhvillim e integrim dhe funksionon mirë vetëm në përzgjedhjen e njerëzve që i bashkon interesi i ngushtë i pushtetit, privilegjit, korrupsionit dhe i parasë, kudo që lindin e mbarten: si në qeveri, ministri e dikastere të sistemit.

Këto interesa grupale kontrollojnë, drejtojnë dhe kufizojnë qeverisjen, ligjin dhe drejtësinë dhe guxojnë e bëjnë padrejtësi; janë grupe që kontrollojnë veprimtarinë ekonomike, që bëjnë përzgjedhjen e klientelizmit favorizues nga njëra anë dhe presionin, kërcënimin e gjobat për mediat, individët dhe bizneset që nuk financojnë e nuk lobojnë për ta.

Kjo qeverisje e këtij koalicioni, si qeverisje që ka institucionalizuar në perfeksion politikën e interesit të klanit e klikës, ka krijuar monopole në ekonomi, politikë, tregti, privatizime, tenderime, në punësim publik dhe madje dhe në administrimin e pronave e parave të paligjshme, e deri në vënien në kontroll të tatimeve, doganave dhe gjyqësorit, gjë e cila e ka kompromentuar rëndë demokracinë dhe është bërë dhe kërcënim për sovranitetin kombëtar.

Këtë lloj politike qeverisjeje të trashëguar dhe që sundon Shqipërinë duhet ndëshkuar njëherë e përgjithmonë, në mënyrë që shoqëria jonë politike të pastrohet nga kjo kulturë shumë e dëmshme politike, korruptive, të papërgjegjshme, kundërpatriotike dhe antiintegruese, që po e infekton politikën shqiptare kudo në trojet e saj.

Burimi: Bota Sot