Skenat e paraqitura sot në Parlamentin e Kosovës tregojnë gjendjen faktike të situatës së mjerë politike në Kosovë, e cila ka eskaluar deri në atë masë saqë paraqet rrezik për një luftë qytetare.U turpërova dhe u shqetësova sot duke parë kaosin ndërmjet deputetëve të Parlamentit, për të cilët kemi shkruar edhe më herët se nuk meritojnë ta shkelin pragun e këtij institucioni.
U turpërova dhe u shqetësova duke parë të rreshtuara disa figura të ashtuquajtura akademike, të cilat ishin rreshtuar pas një grupi adoleshentësh partiakë, të cilët as lagjja dhe as rrethi ku jetojnë nuk i njeh.U turpërova dhe u shqetësova duke parë skena të neveritshme të disa deputeteve femra, të cilat eskaluan deri në atë masë saqë kaluan në përplasje fizike ndërmjet tyre.
U skuqëm dhe u turpëruam duke parë komunikimin kërcënues, i cili tregon nivelin e ulët të edukatës dhe kulturës së personalitetit të njeriut.Gjatë historisë, femra shqiptare ka qenë simbol i edukatës familjare, e cila ka ruajtur nderin e familjes, duke kultivuar raportet e ngrohta dhe të sinqerta brenda familjes dhe farefisit ku ka jetuar.
Sot, disa deputete, të cilat kanë hyrë në Parlamentin e Kosovës përmes dyerve të grupeve të interesit të partive të caktuara, e deri te liderët e partive, kanë eskaluar deri në atë masë saqë, për interesat e tyre personale, në vend të përafrimit të raporteve ndërnjerëzore, tani po tregojnë muskujt se kush është më i fortë fizikisht.
Njeriu normal i këtij vendi po turpërohet dhe duhet të skuqet për gjendjen e krijuar, kur i dëgjon deputetët dhe deputetet e caktuara duke derdhur lot krokodili për ruajtjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Gjithë kësaj situate po i fryjnë dhe po i kontribuojnë liderët partiakë dhe grupet e ngushta të interesit të politikës dhe parapolitikës, të cilët me vite të tëra janë bërë barrë e rëndë për zhvillimin e proceseve demokratike të këtij vendi.
Nuk ka dilemë se shoqëria kosovare po përballet me kriza të ndryshme, ku fatin e popullit dhe të shtetit e kanë marrë në duar antivlerat, njerëzit e padijshëm dhe pa integritet, të cilët kanë hipoteka të vazhdueshme për të kaluarën.
Andaj, situata është duke rrëshqitur dhe, nëse kësaj nuk i ndalet hovi, paraqet rrezik për ndonjë konflikt me përmasa të paparashikueshme.Këtë nuk e ka pritur dhe as nuk e ka ëndërruar askush që, pas 27 vitesh në liri dhe pavarësi, shteti i Kosovës të përballet me kriza të tilla të paimagjinueshme, të cilat po e turpërojnë historinë e këtij vendi.
Mjerisht, në këtë situatë shumë dramatike që po i ndodh Kosovës, duke u bllokuar formimi i institucioneve të shtetit, shtresa intelektuale po qëndron në koma, ndërsa ka humbur edhe ajka e dikurshme e individëve që kishin respekt dhe autoritet të veçantë te qytetarët.
Nuk ka mbetur pothuajse asnjë kult apo autoritet suprem për të ndërhyrë në tejkalimin e kësaj situate dramatike që po i ndodh shtetit të Kosovës nga vetë shqiptarët.
