Detaje të reja janë zbardhur për rastin e dhunës në familje që ndodhi në Graçanicë, ku një 35-vjeçar dyshohet se në gjendje të dehur shkaktoi një seri incidentesh te banesa e partneres së tij, ndërsa telashet vazhduan edhe pasi u shoqërua në Polici, mëson Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është M.Z, rreth 35-vjeçar, ndërsa rastin e ka raportuar partnerja e tij, D.J., rreth 43-vjeçare, me të cilën ai raportohet se është në lidhje prej rreth dy vitesh. Sipas informacioneve të rastit, M.Z dyshohet se në gjendje të dehur ka hyrë në tarracën e banesës së partneres, ku ka thyer shishe qelqi dhe dritaren e tarracës.
Incidenti nuk ka përfunduar me kaq. Ai dyshohet se me automjetin e tij ka goditur edhe veturën e partneres, duke shkaktuar aksident. Policia ka intervenuar rreth orës dhe e ka shoqëruar të dyshuarin në Stacionin Policor në Graçanicë. Gjatë alkotestit, ai ka rezultuar me 1.39 promil alkool. Burimet bëjnë të ditur se edhe pas shoqërimit në stacion situata ka vazhduar të jetë problematike.
I dyshuari dyshohet se ka fyer vazhdimisht zyrtarët policorë, nuk ka bashkëpunuar me ta dhe gjatë qëndrimit në dhomën e mbajtjes ka dëmtuar edhe ulëset. Partnerja e tij ka deklaruar se frikësohet për sigurinë e saj dhe ka kërkuar urdhër mbrojtës, ndërsa para Policisë ka ngritur edhe dyshimin se i dyshuari e kishte përcjellë.
Pas veprimeve të mëtejshme hetimore dhe konsultimit të sërishëm me Prokurorin e Shtetit, ndaj M.Z, përveç rastit të dhunës në familje, është shtuar edhe vepra penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”. Me vendim të Prokurorit, 35-vjeçari është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në mbajtje në Lipjan. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
