Emery: PSG është favorite

0%

Trajneri i Aston Villas, Unai Emery, ka tentuar të largojë presionin nga skuadra e tij përpara përballjes së së mërkurës në Superkupën e UEFA-s, duke insistuar se fituesi i Ligës së Kampionëve, Paris Saint-Germain, është favorit i qartë.

Klubi nga Midlands po përgatitet për paraqitjen e tij të parë në këtë finale prestigjioze që nga viti 1982, pas triumfit dramatik në Ligën e Evropës sezonin e kaluar. Emery e di shumë mirë se vëmendja do të jetë e përqendruar te Paris Saint-Germain kur dy skuadrat të përballen këtë javë në Salzburg.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes, trajneri spanjoll u përpoq t’ia kalonte peshën e favoritit gjigantëve francezë, të cilët siguruan pjesëmarrjen në këtë sfidë pasi fituan Championsin. “Ne do të përpiqemi t’ua përcjellim këtë mesazh lojtarëve në dhomën e zhveshjes, duke u përgatitur për ndeshjen dhe duke e ditur se ata konsiderohen favoritë. Sepse sigurisht që janë”, d eklaroi Emery.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Për Aston Villan, kjo ndeshje përfaqëson kulmin e një ngritjeje të jashtëzakonshme nën drejtimin e Emeryt, ndërsa PSG synon të konsolidojë statusin e tij si forca dominuese e futbollit evropian. Pavarësisht diferencës në burime dhe potencialit financiar mes dy klubeve, Emery po mbështetet te përvojat e mëparshme për të ushqyer besimin e skuadrës së tij.

Ai rikujtoi një përballje të dy viteve më parë, kur Aston Villa dhe PSG u takuan në çerekfinalet e Championsit. Edhe pse anglezët u eliminuan, Emery theksoi se paraqitja e skuadrës tregoi se ata ishin në gjendje të konkurronin me gjigantët francezë. Përgatitjet për ndeshjen në Austri janë komplikuar nga mungesa e disa prej titullarëve kryesorë.

Emery konfirmoi se lojtarë të rëndësishëm si Emi Martinez, Ezri Konsa dhe Ollie Watkins nuk kanë udhëtuar drejt Salzburgut pas angazhimeve të tyre me kombëtaret gjatë verës. Trajneri mbrojti vendimin për t’u dhënë atyre pushim të zgjatur. “Ata e përfunduan sezonin më 19 korrik dhe unë u kam dhënë katër javë pushime. Mendoj se kjo është plotësisht e nevojshme”, tha ai.

Thellësia e skuadrës do të vihet edhe më shumë në provë nga mungesa e afrimit të ri Manzambi, i cili është jashtë për shkak të një dëmtimi. Megjithatë, klubi ka marrë një lajm pozitiv financiar, pasi kualifikimi në këtë ndeshje i ka sjellë një shumë të konsiderueshme parash, e cila mund të jetë e rëndësishme gjatë javëve të fundit të merkatos.

Emery foli gjithashtu për interesimin ndaj Joao Palhinha, i cili vazhdon të jetë një prej objektivave të klubit. “Në javët e fundit të merkatos, lojtarët mund të lëvizin. Nuk flas për lojtarë specifikë, por të gjithë e njohim Palhinhan”, shtoi ai.

Ndërkohë, ndërsa Emery po menaxhon pushimet e lojtarëve të tij, trajneri i PSG-së, Luis Enrique, ka shprehur publikisht frustrimin e tij për situatën e kundërt. Trajneri spanjoll është përballur me një fazë përgatitore të fragmentuar për shkak të rikthimit të vonuar të yjeve pas Kupës së Botës. Enrique shprehu shqetësimin e tij gjatë konferencës për shtyp, duke deklaruar: “Nuk kam lojtarë.

Disa lojtarë u kthyen të hënën, ndërsa të tjerë u kthyen javën e kaluar”. Ai theksoi se mungesa e minutave të luajtura nga disa prej futbollistëve e bën të vështirë parashikimin se sa gjatë mund të përballojnë intensitetin e ndeshjes. “Vitin e kaluar ishte diçka e jashtëzakonshme dhe këtë vit është po ashtu.

Sa i përket përgatitjes, është e vështirë të menaxhosh numrin e minutave që mund të luajë secili lojtar. Ne do të përpiqemi të luajmë në nivelin më të mirë të mundshëm”, e mbylli ai.

Burimi: Bota Sot