Arne Slot ka zbuluar arsyen e vërtetë pse refuzoi mundësinë për të marrë drejtimin e kombëtares së Holandës. Ish-trajneri i Liverpoolit, i cili fitoi Premierligën dy sezone më parë në “Anfield”, kishte zhvilluar bisedime për të marrë drejtimin e Holandës pas largimit të tij nga klubi anglez gjatë verës. Megjithatë, më pas ai u tërhoq nga gara.
Ronald Koeman pritet të largohet nga posti pas Kupës së Botës 2026 dhe, duke qenë se Slot ishte pa klub, shumëkush e shihte atë si pasuesin ideal. Disa raportime pretenduan se 47-vjeçari e kishte refuzuar mundësinë për shkak të pagës dhe kohëzgjatjes së kontratës. Megjithatë, Slot ka vendosur t’i japë fund këtyre spekulimeve.
Slot i tha gazetës holandeze “Voetbal International”: “ Gjatë javëve të fundit, dhe veçanërisht ditëve të fundit, janë publikuar raportime të ndryshme në lidhje me kombëtaren e Holandës, duke pretenduar se unë u tërhoqa nga procesi pas negociatave të gjata, përfshirë çështje që lidhen me pagën dhe kohëzgjatjen e kontratës”.
Siç raporton “Daily Mail”, ai shtoi: “Ky spekulim nuk është i vërtetë. Ne thjesht nuk arritëm në atë fazë të diskutimeve”. Slot vazhdoi: “N ë këtë fazë të karrierës sime, preferoj të jem çdo ditë në fushën e stërvitjes me lojtarët e ekipit tim. Kjo nuk është e mundur në të njëjtën mënyrë me një kombëtare.
Pikërisht për këtë arsye zgjodha të mos i vazhdoja diskutimet dhe të mos nisja negociatat për formën e një kontrate të mundshme”. Në fund, ish-trajneri i Liverpoolit theksoi se drejtimi i Holandës mbetet një ëndërr për të, por jo në këtë moment të karrierës. “Do të ishte një nder i madh për mua që një ditë të përfaqësoja vendin tim si trajner i kombëtares.
Megjithatë, kjo nuk ishte koha e duhur për mua”, e mbylli ai.
