Deklarata e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër, që do të shkaktonte tharjen e Ujmanit, po shihet si pengesë edhe nga Gjermania për objektivin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një përgjigje për Gazetën Express, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka reaguar ngjashëm me Bashkimin Evropian, duke thënë se deklaratat e tilla nuk i shërbejnë procesit të normalizimit dhe duke bërë thirrje për përmbajtje. “Siç kemi deklaruar edhe më parë, Gjermania mbetet e përkushtuar ndaj pavarësisë së Kosovës dhe integrimit të saj evropian.
Për të përparuar në këtë rrugë, Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut. Deklaratat lidhur me ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër nuk e mbështesin këtë objektiv. Edhe një herë, u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve që të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet që pengojnë përparimin e normalizimit përmes dialogut”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.
Vuçiq të dielën deklaroi se Serbia po shqyrton mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër në territorin e saj, duke e lidhur këtë me, siç pretendon ai, “maltretimin e serbëve” në Kosovë. “Ne tashmë kemi ftuar ekspertët që merren me këtë çështje, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë.
Meqë po e maltretojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim, kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, dhe pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, kishte thënë Vuçiq. Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që presidenti serb e përmend këtë ide.
Para dy vitesh, pas shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut, ndërsa mohonte përfshirjen e Serbisë në rast, Vuçiq kishte thënë se një ide për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit ekzistonte që nga viti 1985. Një qëndrim të ngjashëm me atë të Ambasadës së Gjermanisë e shprehu sot edhe Bashkimi Evropian.
Zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, në një konferencë për media në Bruksel tha se deklaratat, përfshirë ato për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumit dhe veprimet, nuk e mbështesin objektivin për krijimin e një marrëdhënieje normale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Kjo mund të arrihet vetëm përmes dialogut.
Gjithashtu, rikujtojmë se përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që secila palë të përparojë në rrugën europiane”, shtoi Hipper. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
