Një traget me 90 pasagjerë dhe pesë anëtarë të ekuipazhit është përmbysur të martën në liqenin Kariba në Zimbabve, ndërsa ekipet e shpëtimit kanë nisur operacionet për gjetjen dhe shpëtimin e personave në bord.
Policia e Zimbabvesë ka konfirmuar incidentin dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të mos spekulojnë për numrin e viktimave, duke theksuar se informacionet zyrtare për të mbijetuarit, të plagosurit apo viktimat do të bëhen publike pasi të përfundojë menaxhimi i vendngjarjes.
Trageti përdorej nga banorët e zonave rurale për të udhëtuar drejt qytetit Kariba, i cili ndodhet në pjesën veriore të liqenit, pranë kufirit me Zambian, raporton Euronews, transmeton Sinjali. Deputetja zimbabveane Mutsa Murombedzi tha se udhëtimi me këtë mjet zakonisht zgjaste rreth pesë orë , ndërsa sipas saj trageti u godit nga erëra të forta gjatë rrugës nga Kariba drejt Chalala.
Murombedzi publikoi edhe pamje në rrjetin X, ku pretendon se shihet trageti “Mbuya Nehanda” duke u nisur më herët gjatë ditës. Ajo kërkoi nga autoritetet transparencë për numrin e saktë të personave që ndodheshin në bord. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
