Kurti me senatoren Ernst: Bondsteel-i duhet të shndërrohet në prani

0%

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të martën në takim senatoren amerikane Joni Ernst, një nga zërat më të angazhuar në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për Kosovën. Gjatë takimit, Kurti e ka falënderuar senatoren Ernst për mbështetjen dhe kontributin e saj të vazhdueshëm në thellimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri në detyrë e ka informuar senatoren amerikane për, siç është thënë në njoftim, progresin e shënuar nga Kosova në rritjen ekonomike dhe përmirësimin e situatës së brendshme të sigurisë. Një nga temat e diskutuara ka qenë edhe prania ushtarake amerikane në Kosovë.

Kurti ka ritheksuar qëndrimin e Qeverisë se Kampi Bondsteel duhet të shndërrohet në një prani të përhershme ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Sipas Kurtit, një prani e tillë do të shërbente si garantuese e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe rajon, si dhe si bazë strategjike për operacionet e NATO-s në Evropën Juglindore. Në takim është diskutuar edhe situata politike në Kosovë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kurti dhe senatorja Ernst kanë biseduar për rëndësinë e vazhdimit të diskutimeve ndërmjet partive politike parlamentare, me synim arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve. Takimi është zhvilluar në kuadër të vizitës së senatores Ernst në Kosovë dhe kontakteve të saj me përfaqësues të institucioneve kosovare.

Burimi: Telegrafi