E ardhmja e Marcus Rashfordit te Manchester Unitedi ka dominuar titujt e mediave gjatë kësaj vere dhe tashmë ka dalë një përditësim i ri mbi mënyrën se si ai ndihet për mundësinë e qëndrimit në “Old Trafford” pas kësaj vere.
Rashford u la jashtë planeve nga Ruben Amorim te Manchester Unitedi në fund të vitit 2024, për shkak të standardeve të tij në stërvitje dhe vështirësive për t’iu përshtatur kërkesave taktike. 28-vjeçari përfundoi duke iu bashkuar Aston Villas në formë huazimi në shkurt të vitit 2025, ku la përshtypje të mira nën drejtimin e Unai Emeryt.
Më pas, ai arriti një tjetër nivel gjatë gjithë sezonit 2025/26, të cilin e kaloi te Barcelona. Sulmuesi i kombëtares së Anglisë ndihmoi skuadrën e Hansi Flick për të fituar titullin e La Ligas, duke regjistruar 28 kontribute në gola në të gjitha kompeticionet. Në Champions, ai shënoi pesë gola dhe dha katër asistime.
Një sezon fantastik te gjigantët spanjollë dukej se do ta çonte drejt një transferimi të përhershëm, por Barcelona çuditërisht vendosi të mos paguante 26 milionë paund për ta blerë përfundimisht. Rashfordi është detyruar që atëherë të rishikojë opsionet e tij këtë verë dhe është lidhur fuqishëm me transferime në Turqi, Gjermani, Itali dhe Arabinë Saudite.
Gjithashtu, disa klube të Premierligës janë të interesuara për ta transferuar përpara mbylljes së merkatos më 1 shtator. Tashmë të gjithë sytë janë te vendimi që do të marrë Michael Carrick për sulmuesin anglez, i cili është rikthyer në stërvitje këtë javë. Trajneri i Unitedit duket se po e pret rikthimin e tij me krahë hapur. “Këtë javë kemi një skuadër të plotë në Dublin.
Fluturojmë direkt atje dhe kemi disa ditë ku i gjithë grupi do të jetë sërish së bashku. Marcus është pjesë e saj”, tha Carrick. Ekziston mundësia që Carrick ta integrojë plotësisht Rashfordin sërish në skuadër dhe kjo mundësi u rrit edhe më shumë pasi anglezit iu dha fanella me numrin 14 në fillim të kësaj jave, si një “mesazh për t’i besuar”.
Rashfordi mund të bëhet opsioni që Manchester Unitedi po kërkon në krahun e majtë të sulmit, por mund të ofrojë edhe një alternativë për Benjamin Seskon në qendër të repartit ofensiv. Ylli anglez mund të luajë për Unitedin në transfertën ndaj Hull Cityt, skuadrës së sapongjitur në Premierligë, në ndeshjen hapëse të sezonit më 22 gusht.
Megjithatë, deri në mbylljen e merkatos në fillim të muajit të ardhshëm, e ardhmja e tij mbetet e paqartë. Sipas “The Mirror”, Rashfordi do të preferonte të gjente një klub të ri dhe të vazhdonte ringjalljen e karrierës së tij diku tjetër, pas 18 muajve shumë të vështirë në “Old Trafford”. “Ai beson se ka pasur shumë tension mes tij dhe klubit të qytetit të tij.
Dhe ai e di se ka ende kohë gjatë merkatos së verës për të negociuar një marrëveshje me një klub tjetër që i përshtatet” , shkruhet në raport. Kontrata aktuale e Rashford skadon në vitin 2028, duke i ofruar atij dy mundësi.
Ai mund të luajë dy vitet e mbetura të kontratës dhe të largohet si lojtar i lirë, ose ta përdorë sezonin e ardhshëm për të treguar vlerat e tij dhe për të krijuar mundësinë e një transferimi të madh në vitin 2027.
Anglezi raportohet se fiton rreth 300 mijë paund në javë dhe kjo shifër marramendëse është një nga arsyet kryesore përse klubi ka pasur vështirësi për ta larguar nga lista e pagave.
Vetëm koha do të tregojë nëse Rashfordi do të largohet përfundimisht nga klubi i fëmijërisë së tij apo do ta shfrytëzojë mundësinë për të bindur nën drejtimin e Carrick dhe për të rikthyer formën e tij më të mirë në Premierligë. Megjithatë, duket qartë se Rashfordi preferon mundësinë e parë, edhe pse realizimi i një transferimi të tillë është shumë më i lehtë të thuhet sesa të bëhet.
