Ish-ministri i shkruan Zelenskyt pas deklaratës për Kosovën

0%

Ish-ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Rifat Latifi, i ka drejtuar një letër presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, pas deklaratës së këtij të fundit në Beograd se Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Latifi, në letër shpreh zhgënjim të thellë për qëndrimin e Kievit ndaj pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar deklaratën e Zelenskyt në Beograd si një qëndrim që, sipas tij, bie ndesh me interesat dhe përvojën e vetë Ukrainës. “Çdo argument që është përdorur kundër Kosovës, është përdorur edhe kundër jush, nga e njëjta fuqi dhe me të njëjtat fjalë”, shkruan ish-ministri.

Ai thekson se Kosova ka qenë në krah të Ukrainës që nga fillimi i agresionit rus, duke përmendur mbështetjen për sanksionet evropiane dhe amerikane ndaj Rusisë, pritjen e gazetarëve dhe familjeve ukrainase, si dhe njohjen e Ukrainës brenda kufijve të saj ndërkombëtarisht të njohur, përfshirë Krimenë. Latifi kujtoi gjithashtu angazhimin e tij personal ndaj Ukrainës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Si shqiptaro-amerikan nga Kosova, unë e vizitova Ukrainën për t’i dalë në ndihmë pas pushtimit të par ë”, shkruan ai, duke shtuar se shpreson që në një vizitë të ardhshme ta shohë Ukrainën të lirë.

Në letrën e tij, ish-ministri argumenton se qëndrimi i Ukrainës ndaj Kosovës është veçanërisht zhgënjyes për shkak të ngjashmërive që, sipas tij, ekzistojnë mes përvojës së Kosovës dhe asaj që po përjeton Ukraina përballë agresionit rus.

“Ne e dimë se çfarë po durojnë njerëzit tuaj, sepse e kemi duruar edhe vetë, nga dora e së njëjtës doktrinë dhe në kujtesën tonë të gjallë ”, shprehet Latifi. Ai e kritikon ashpër edhe afrimin e Zelenskyt me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, duke e paralajmëruar presidentin ukrainas se bashkëpunimi me Beogradin dhe përpjekjet për afrimin me Moskën përbëjnë, sipas tij, “rrugën e gabuar”.

“Nëse po krijoni aleanca me Vuçiqin, duke u përpjekur të bëheni mik me Putinin, ju keni zgjedhur rrugën e gabuar. Krejtësisht të gabuar”, thuhet në letër. Latifi e përfundon letrën duke shprehur solidaritetin e tij me popullin ukrainas dhe duke bërë thirrje që Ukraina të qëndrojë në krah të Kosovës. “Me respekt, dhe me solidaritet të vazhdueshëm për popullin e Ukrainës” .

Burimi: Bota Sot