Dështimi i transferimit të Fisnik Asllanit te Leipzigu mund ta hapë një mundësi të re për sulmuesin kosovar në Premierligë, me Tottenhamin që po e monitoron nga afër situatën. Asllani kishte arritur marrëveshje për t’u transferuar te Leipzigu, ndërsa klubi gjerman ishte gati ta aktivizonte klauzolën e lirimit prej 25 milionë eurosh.
Megjithatë, transferimi u ndërpre në fazën përfundimtare për shkak të shqetësimeve të evidentuara gjatë kontrolleve mjekësore. Sipas mediave angleze, situata e re mund t’ia japë Tottenhamit shpresë për t’i siguruar shërbimet e sulmuesit të Hoffenheimit, përcjell “Gazeta Express”.
Klubi londinez e kishte ndjekur më herët Asllanin dhe tani, pas dështimit të marrëveshjes me Leipzigun, mund ta rishqyrtojë mundësinë për ta bërë një lëvizje konkrete për të. Asllani, i cili është 23 vjeç, e zhvilloi një sezon shumë të mirë me Hoffenheimin dhe paraqitjet e tij e tërhoqën vëmendjen e disa klubeve të rëndësishme evropiane.
Krahas Tottenhamit, interesim për përfaqësuesin kosovar kanë shprehur Barcelona dhe Borussia Dortmundi. Asllanit e përfundoi sezonin e kaluar me 11 gola dhe 8 asistime në 35 ndeshje. Vlera e kartonit të Fisnik Asllanit në faqen e specializuar Transfermarkt është 35 milionë euro, njëherësh futbollisti më i shtrenjtë shqiptar i momentit.
