Karizmatizmi, armë e fortë e të plotfuqishmëve…!

0%

dhe koncepti “karizëm” apo “karizmatizëm” është me origjinë nga greqishtja e lashtë. U bë e njohur fillimisht nga letrat e Apostullit të Popujve, Shën Palit drejtuar komuniteteve të krishtera në shekullin e parë të erës së re. Në fillimet e përdorimit kjo fjalë e aftësi shikohej dhe vlerësohej si një dhuratë me origjinë hyjnore, që zotëronin udhëheqësit e hershëm të Kishës.

Sociologu dhe studjuesi gjerman Carl Emil Weber, (21 pril 1864 -), e zgjeroi përmbajtjen e termit dhe të konceptit të karizmës edhe si term laik, për studimin sociologjik të organizatave, kryesisht shoqërore e politike.

Sipas fjalorit apo frazeologjisë së sociologjisë, karizmatizmi është një aftësi individuale e drejtuesit më të lartë, që vjen më së shumti se nga kapacitetet e tij të bollshme, më tepër të tejfryra, në vizion dhe drejtim, në të folur e në gjeste…! Weber numëron tri forma të autoritetit karizmatik. Së pari, atë shprehur në karakter, në heroizëm, në lidership, në rolin si lider fetar.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Pas këtij vendos autoritetin racional-ligjor dhe si të tretë, autoritetin tradicional, patriarkal, patrimonial, sundues…!

Duke iu referuar librit “Lideri nuk lind…, bëhet”, botuar në vjeshtë 2020, të publicistes dhe studjueses së njohur shqiptare, me banim dhe punësim të hershëm në SHBA, Iris Halili, “teoritë e lidershipit na mësojnë se liderët karizmatikë kanë një aftësi të pamatë për të frymëzuar ndjekësit dhe jo rrallë herë, falë kësaj dhuntie apo arme, ata kanë hyrë në histori si liderë të shkëlqyer” apo legjendarë.

James MacGregor Burns, autor i shumë librave për lidershipin, fitues i çmimit Pulitzer në vitin 1978, pikërisht për librin “Lidershipi”, evidenton disa figura të lidershipit botëror, të cilët kanë qenë modele të pastra të liderëve karizmatikë.

Sipas tij këta janë: Moisiu, Jezu Krishti, Attila the Hun, Muhamedi, Zhan d’Ark, Pjetri i Madh, Napoleoni, Mahdi i Sudanit, Benito Musolini, Adolf Hitler, Ayatollah Khomeini…Pas këtij grupi ai vendos një tjetër grup liderësh, të cilët, nuk i kanë shfaqur në nivelet e grupit të parë karakteristika të liderit karizmatik…Në këtë grup Burns fut Winston Churchill, Charles de Gaulle, Gamal Nasser, John Kennedy…Ndërsa Martin Luther King apo Gandi janë dy shembuj klasikë të liderëve karizmatikë, që ndonëse pa fuqi vendimmarrëse apo pushtet zyrtar, krijuan ndër lëvizjet më të mëdha dhe frymëzuese në historinë e njerëzimit.

Është e njohur se edhe shumë figura të shquara nga fusha ushtarake dhe e luftërave, kanë pasur një shkallë të lartë karizme dhe janë parë nga ndjekësit e tyre si njerëz me fuqi mbinatyrore, apo si heronj.

Për shembull, Aleksandri i Madh, Perandori Romak Çezar (me kulm fitoren legjendare në Alesia, ku i veshur me një pelerinë të kuqe, ia doli të frymëzojë ushtrinë dhe të mundë Arvernian Vercingetorix, i cili kishte pesë herë më shumë ushtarë), Gjenerali anglez Nelson, ai francez Napoleoni, George S.

Patton Jr, gjeneralët rusë Kutuzov dhe Zhukov, etj…Personalisht do ti shtoja kësaj liste edhe heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Siç dihet nga historia, si prijës i një populli dhe ushtrie të vogël, krahas bashkimit të princave dhe principatave arbërore dhe kapaciteve të tyre ushtarake, ai u ndihmua që të përballojë ushtritë turke shumëfish më të mëdha në numër, jo pak edhe nga niveli i lartë personal i karizmit, shprehur në fjalime, sidomos në fillimet e betejave më të mëdha e në luftime.

Studjuesit e kësaj fushe kanë bërë edhe dallimin mes lidershipit më së shumti karizmatik në dukje e shprehje dhe të lidershipit transformues, me aftësi dhe kapacitete transformuese, përgjithësisht pozitive. Sipas tyre, pa pasur natyrshëm, me sinqeritet dhe ndërgjegjshmëri, tiparet e liderit transformues, lideri karizmatik mund të bëhet negativ e të jetë problematik.

Kjo pasi jo pak nga liderët karizmatikë shquhen për ambicie personale, familjare, klanore…ekstreme, deri destruktive, antidemokratike, autoritariste, diktatoriale. Për më tepër e më keq, jo pak herë, siç mendojnë edhe polititologu venezuelian Alfonso Hernandez dhe gazetari spanjoll Francisko Rubiales, mbështetës të konceptit “Sindroma e arrogancës”, deri në forma çmendurie…

Kështu, lind rreziku që lideri karizmatik, porsa fiton postin dhe vetëbesimin, fillon të injorojë mendimet ndryshe e të ndëshkojë, deri me jetë ato kundërshtare. Pashmangshëm, pak nga pak humb simpatinë, mbështetjen dhe kontaktet e dikurshme me ndjekësit dhe përqendrohet tek përmbushja e ambicies personale për pushtet e për lavdi…

Megjithatë, është dëshmuar se kur liderët karizmatikë rrethohen nga këshilltarë të zotë, të cilëve përgjithësisht, ua respektojnë këshillat, ata janë në gjendje të mos e humbasin orientimin dhe vetëpërmbajtjen dhe t’i çojnë ndjekësit në përmbushjen e premtimeve e të objektivave.

Gjithashtu, një staf i përgatitur me aftësi drejtuese të larta, mund të jetë në gjendje të pengojë “lajthitjet” e liderëve karizmatikë, duke ditur të shfrytëzojë vetëm vlerat pozitive e konstruktive të tyre…

Sipas një vizioni dhe analizimi më konkret e më vulgarizues, karizmatizmi është aftësia dhe fuqia e një njeriu për të tërhequr dhe bindur të tjerët lehtësisht përmes “gjuhës së trupit”, sharmit, fjalës edhe fjalimeve dhe energjisë apo patetizmit në gjeste e pamje.

Kjo aftësi, më shumë e lindur se sa e fituar nëpërmjet shkollimit specifik, i ka ndihmuar ndjeshëm jo pak udhëheqës politikë, partiakë dhe qeverisës të kapin poste të lartë. Edhe ti mbajnë ato shumë gjatë, edhe kur nuk i përmbushin kërkesat për nga formimi i përgjithshëm arsimor, profesional, për nga shëndeti mendor, figura morale, për nga e kaluara në moshën e rinisë, e tj.

Edhe kur “i harrojnë” shpejt dhe gjatë premtimet dhe i zhgënjejnë turmat poshtë apo përreth tyre. Kjo aftësi apo dukuri është si thika, me dy presa.

Si anë pozitive mund ti njihen dhe llogariten se nxit e shton besim dhe shpresë, bashkon apo “tufëzon” më lehtë e më shpejt grupe të mëdha njerëzish me bindje dhe pozicionime të ndryshme…Si rrjedhojë e këtyre, sjell ndryshime të shpejta, por jo rrallë herë, pa frytshmëri të qartë, të përjetueshme, të bollshme, bindëse…!

Si anë negative mund ti llogariten aftësia apo kapaciteti i liderit karizmatik që të “dehë”, “drogojë”, “verbojë” e “tërbojë” turmat apo masat e njerëzve, edhe të popujve të tërë, sa të mos i shikojnë dhe pranojnë edhe mangësitë, krimet, masakrat, gabimet e tij apo ti justifikojnë dhe minimizojnë këto.

Hitleri, Musolini, Stalini…, Enveri shkollëmesëm tek ne, por edhe Berisha dhe Rama si dhe Trump në Amerikë, i kanë si dhunti e të lidhura fort narcizizmin, karizmin, orarorinë, gjestikulacionin, interpretimin aktorial, impresionues apo manipulues.

Mes liderëve shqiptarë karizmatikë do të fusja edhe Ibrahim Rugovën, por jo me nivelet e ekspresivitetit dhe të gjesteve, të volumit dhe tonalitetit zanor të emrave të mësipërm…Duke i ngjarë më shumë Rugovës se sa Berishës po afirmohet dita ditës si lider karizmatik edhe Albin Kurti!

Prej një kohe të gjatë, vazhdimisht, në biseda intelektualësh dhe qytetarësh të thjeshtë, shprehet pyetja: Si arritën Hitleri dhe Musolini, pa pasur nivele të larta, elitare arësimimi, kulture, intelektualizmi, profesionalizmi…,ti marramendin dhe shndërrojnë në adhurues dhe pasues të tyre të verbër, bile deri sa ti kafshërojnë për nga shpirti, qindra mijëra e miliona njerëz në dy vende dhe popuj të shquar dhe me kontribute të mëdha në fushat e shkencave, letërsisë, arteve dhe të kulturës botërore?

Bile, deri aty sa edhe personalitete të shquar në nivel botëror, të bëhen zbatues të verbër të urdhrave dhe gjëmave të tyre apokaliptike mbi popujt e tjerë, që i pushtuan gjatë Luftës së Dytë Botërore?

Është e padyshimtë se arma e tyre më e fortë ka qenë karizmatizmi, “drogimi” i ushtrive me uniforma ushtarake ose të qytetarëve civilë, me doza të larta nacionalizmi, deri në shovinizëm të tejskajshëm e në genocidizëm…

Bollëku i dozave të karizmatizmit tek disa liderë dhe mungesa e ndjeshme e tij tek bashkëpunëtorët e tyre, sidomos në kohë debatesh dhe votimesh për shkarkimin e “udhëheqësve legjendarë” apo të “liderëve historikë” si dhe për ikjen e tyre me dorëheqje të vullnetshme, bëhen shkas dhe bazë për këmbënguljen e këtyre prijësve të moçëm për të qëndruar deri në frymën e fundit në poste e frone…

Jo pak adhurues të kryetarëve të parë kapen fort tek mungesa nga kandidatët e rinj të aftësisë dhe denjësisë karizmatike të idhujve të tyre të përjetshëm…!? Këto janë përjetuar edhe në veprimtaritë dhe historitë të dy partive kryesore të vendit tonë.

Në PKSH-PPSH-PSSH për mbi 80 vjet e në PDSH për rreth 35 vjet, ishte dhe është masiv opinioni subjektiv se për karizmatikë nuk ka pasur e nuk ka të dytë e të tretë pas Enver Hoxhës, Sali Berishës dhe Edi Ramës.

Në këtë këndvështrim komunisto-socialistët nuk e llogarisin Ramiz Alinë, jo aq nga koha e shkurtër e kryetarllëkut në PPSH, por më shumë nga mungesa e karizmit apo karizmatizmit, nga anemizmi apo debolizmi i tij në karakter e në tribuna!?

Nga kjo mangësi në krahasim me Berishën “ndëshkohen” këto vite edhe disa anëtarë të kryesisë së PD-së, me mosha të reja, si Tomor Alizoti, Ilir Alimehmeti, Belind Këlliçi, Genc Bardhi, Luçiano Boçi, Jorida Tabaku, Adriana Kalaja…, kandidatura të mundshme për të zëvendësuar Berishën, pas largimit të tij nga posti me dorëheqje të vullnetshme ose për arsye jetësore, moshe, shëndeti, pra pamundësie fizike për të vazhduar…

Kjo ndodh edhe në PS, me kandidaturat e mundshme për të zëvendësuar Edi Ramën, nëse ikën me “dorëheqje të vullnetshme” ose me pranga nga SPAK!?

Natyrshëm nga shumëkush mund të mendohet dhe shprehet edhe publikisht pyetja: e përse u dashka kurdoherë nivel i lartë karizmatizmi, kur, historikisht dhe aktualisht nga shumica e idhujve, në pjesën më madhe të ngjarjeve të përjetuara, edhe si drama e tragjedi shumëvjeçare kombëtare, ai është shfrytëzuar për “drogime” e “dehje” politike dhe për mashtrime propagandistike?

Që ti mashtrojnë pasuesit dhe adhuruesit e tyre më bukur e më lezetshëm?! Edhe që të reklamojnë si qëmoti paaftësinë për gjenialitet; humbjet si fitore; dështimet si suksese; mbetjen në vend apo rënien prapa, si ecje përpara…?!

Po kështu, është shprehur dhe kuptuar se jo gjithmonë, pas sharjeve, kritikave, akuzave, kërcënimeve…,me ton të lartë e patetik, pra pas karizmatizmit të flaktë, ka sinqeritet të plotë dhe jo një lidhje, aleancë, veprimtari e fshehtë, një skenar, në interes edhe të një pale të dytë, të tretë!?

Burimi: Bota Sot