Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) ka shprehur shqetësim për vonesat në konstituimin e institucioneve të vendit, duke vlerësuar se mungesa e institucioneve funksionale po krijon pasiguri dhe po shkakton pasoja të mëtejshme për ekonominë dhe bizneset.
DHTIK u ka bërë thirrje të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend që të tejkalojnë ngërçin politik dhe të mundësojnë sa më shpejt formimin e institucioneve. Sipas kësaj dhome, Kosovës i nevojiten institucione funksionale dhe vendimmarrje, ndërsa një cikël i ri zgjedhor do ta thellonte edhe më shumë pasigurinë për komunitetin e biznesit dhe ekonominë.
Dhoma e Tregtisë ka theksuar se konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë janë të domosdoshme edhe për shkak të agjendës ekonomike që e pret vendin. DHTIK ka identifikuar një numër ligjesh dhe çështjesh që, sipas saj, kërkojnë ndryshim, plotësim ose rregullim të ri.
Në mesin e tyre janë Ligji për Tregti të Brendshme, Ligji për Falimentim, Ligji për Miniera dhe Minerale, Ligji i Punës, Ligji për Pushimin e Lehonisë, legjislacioni për TVSH-në, Ligji për Pronën Publike, Ligji për Investime Strategjike dhe Ligji për Shoqëritë Tregtare.
Sipas DHTIK-së, këto çështje nuk duhet të mbeten të bllokuara për shkak të mungesës së institucioneve, pasi bizneset kanë nevojë për siguri juridike, politika të parashikueshme, lehtësim të barrës administrative dhe fiskale, si dhe përkrahje për prodhimin vendor dhe investimet.
Në fund, DHTIK u ka bërë thirrje partive politike që interesin e vendit dhe të ekonomisë ta vendosin mbi dallimet politike dhe të përfundojnë procesin e konstituimit të institucioneve. Dhoma e Tregtisë vlerëson se bizneset dhe qytetarët kanë nevojë për institucione funksionale që marrin përgjegjësi dhe sigurojnë vendimmarrje për çështjet me rëndësi për zhvillimin ekonomik të vendit.
