Inxhinieri serb: Askush s’do të lejonte ndryshimin e rrjedhës së

0%

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërcënuar se do ta ndryshojë rrjedhën e lumit Ibër, duke e lidhur këtë me, siç ka thënë ai, sjelljen e autoriteteve të Kosovës ndaj komunitetit serb. Por kjo ide është kundërshtuar nga inxhinierë edhe në Serbi.

Profesori i Fakultetit të Inxhinierisë Civile në Serbi, Jovan Despotoviq, e ka cilësuar një ndërhyrje të tillë si të pakuptimtë nga aspekti hidroteknik dhe i menaxhimit të ujit. “Askush në tokë nuk do të lejonte zhvendosjen e Ibrit”, ka thënë Despotoviq për gazetën serbe “Vreme”, duke shtuar se Serbia nuk do të përfitonte asgjë nga një veprim i tillë.

Sipas tij, ndryshimi i rrjedhës së lumit do të ishte në kundërshtim edhe me parimet e menaxhimit të ujërave ndërkufitare dhe me rregullat evropiane për menaxhimin e ujërave në nivel të pellgut të Danubit. Ibri buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbinë qendrore dhe më pas hyn në Kosovë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në territorin e Kosovës, rrjedha e tij lidhet me sistemin e Ujmanit, një prej infrastrukturave kryesore ujore dhe energjetike. Liqeni artificial i Ujmanit dhe sistemi Ibër-Lepenc kanë rëndësi të madhe për furnizimin me ujë dhe energji elektrike të një pjese të konsiderueshme të Kosovës.

Despotoviq ka paralajmëruar se çdo ndryshim i rrjedhës së Ibrit do të prekte të gjithë popullsinë në zonat e prekura, pavarësisht përkatësisë etnike. Ideja për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit nuk është e re. Vuçiq e kishte përmendur një propozim të tillë edhe në vitin 2024, por më pas ishte distancuar prej tij, duke thënë se nuk dëshironte që natyra të përdorej për qëllime politike.

Përveç pengesave teknike, një ndërhyrje e tillë do të përballej edhe me pengesa ligjore. Serbia dhe Mali i Zi janë palë të Konventës së UNECE-së për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Rrjedhave Ujore Ndërkufitare, e cila kërkon përdorim të arsyeshëm të ujërave dhe bashkëpunim ndërmjet shteteve.

Sipas ekspertit serb, realizueshmëria dhe pasojat e një ndërhyrjeje të tillë do të vareshin nga vendi ku do të kryhej, shkalla e ndryshimit të rrjedhës dhe ndikimi që do të kishte në zonat përgjatë rrjedhës së poshtme. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com