Një përleshje e rëndë fizike mes dy të burgosurve ka ndodhur mbrëmë në Burgun e Dubravës, ku njëri prej tyre ka pësuar lëndime serioze dhe ka përfunduar në QKUK. Sinjali mëson se në përleshje janë përfshirë Dardan Rrustemi dhe Ernes Kamberi , të cilët ndodheshin në Pavijonin 5 të Burgut të Dubravës, në të njëjtën dhomë.
Sipas informacioneve që kanë arritur në redaksinë e Sinjalit , mes dy të burgosurve ka shpërthyer një konflikt që ka eskaluar në përleshje fizike. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se gjatë përleshjes Ernes Kamberi ka pësuar lëndime serioze në fytyrë , përfshirë dyshimin për thyerje të nofullës, çka ka bërë të nevojshëm dërgimin e tij për trajtim në QKUK.
Kamberi është hospitalizuar në Klinikën e Kirurgjisë Maksilofaciale, ku po trajtohet për lëndimet e marra. Sipas të njëjtave burime, në konflikt është përfshirë edhe Dardan Rrustemi, i cili po dyshohet se i ka thyer nofullën “shokut” të dhomës. Deri me tani rrethanat dhe motivi që çuan në përleshjen brenda Pavijonit 5 ende nuk janë bërë të ditura.
Sinjali do të kërkojë konfirmim dhe informacione shtesë nga Shërbimi Korrektues i Kosovës lidhur me incidentin dhe masat që janë ndërmarrë ndaj të burgosurve. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
