Siç ndodh me tepri dhe pa asnjë qasje profesionale, Facebook-u i Kryeministrit është shndërruar në një prej burimeve kryesore që mban me lajme radiot, televizionet dhe portalet e shumta. Ndaj kësaj praktike mund të ketë qëndrime dhe vlerësime të ndryshme.
Por kur mbërrin puna që edhe gjetja e një trungu pemeje, qoftë edhe 8 metra i gjatë (6 metra më i gjatë se vetë Kryeministri!), në kolektorin e ujërave të zeza në Kashar të bëhet lajm sepse këtë fakt e ofron, me një shkrim të gjatë, Kryeministri i vendit në faqen e tij në Facebook, atëherë duhet thënë se mjerimi profesional ka mbërritur në përmasat e alarmit.
Pa asnjë mëdyshje, mjerues është edhe fakti që vetë Kryeministri merret me një trung të gjetur në kanalet e ujërave të zeza dhe, për më tepër, e përdor këtë fakt si argument për të na thënë se: “… kjo është edhe një kujtesë shumë konkrete për të gjithë ata që kanë harruar pse Shqipërisë i duhej Reforma Territoriale”. (Citimi në thonjëza është marrë fjalë për fjalë nga ajo që ka shkruar Kryeministri.) Por rendja turravrap, pa arsyetuar asnjë grimë, për ta shitur gjetjen e atij trungu të mallkuar si një zbulim më të madh se sa Leva e Arkimedit dhe, mbi të gjitha, për ta përdorur edhe si argument se përse Shqipërisë i duhej Reforma Territoriale, vetëm e vetëm sepse Kryeministri e shërben si të tillë, është një fyerje e madhe për cilindo që ka sado pak mend dhe e ndjen veten të aftë të dëgjojë, të shikojë, të lexojë dhe të kuptojë.
Një trung pemeje që gjendet në një kolektor mund të jetë dëshmi e një historie idiotësh, e një neglizhence budallenjsh nga ata që merren në punë se vjedhin vota, apo mbase edhe punë e qëllimtë njerëzish keqbërës, por nuk është, në vetvete, asnjë argument për Reformën Territoriale.
Kur Kryeministri e shndërron edhe trungun e nxjerrë nga kanalet e ujërave të zeza në argument politik, problemi nuk është më pema. Problemi nuk është as Kryeministri. Problemi jemi të gjithë ne që pranojmë të trajtohemi si pema që budallenjtë e harruan në kanalet e Kasharit dhe që Kryeministri e gjeti dhe e hodhi në “kanalet” e Facebook-ut.
