Haxhiu pret ambasadorët dhe konsujt e Kosovës: “Në diplomaci nuk

0%

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se në Prishtinë ka mirëpritur ambasadorët dhe konsujt e Kosovës që shërbejnë në vende të ndryshme të botës. Në pritjen e organizuar, i pranishem ishte edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Përmes një postimi, Haxhiu ka thënë se gjatë takimit i ka falënderuar diplomatët për punën që bëjnë gjatë gjithë vitit në përfaqësim të Kosovës. “Sonte, mirëpritëm në Prishtinë ambasadorët dhe konsujt tanë që shërbejnë në vende të ndryshme të botës. Në fjalën time i falënderova për punën që bëjnë gjatë gjithë vitit në emër të Kosovës”- ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka thënë se puna e diplomatëve shpesh nuk jep rezultate të menjëhershme dhe kërkon durim, këmbëngulje dhe komunikim të vazhdueshëm. Haxhiu ka theksuar se ndryshimet e shpejta të interesave dhe aleancave ndërkombëtare kërkojnë punë të vazhdueshme diplomatike. “Kur interesat dhe aleancat ndryshojnë kaq shpejt, në diplomaci nuk mjafton reagimi i çastit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Duhet kohë që njerëzit të të njohin dhe të krijojnë besim, para se të vijë momenti kur ke nevojë për mbështetjen e tyre”- ka deklaruar ajo. Sipas Haxhiut, për shumë njerëz që Kosovën e njohin nga larg, vendi ende lidhet kryesisht me luftën, shpalljen e pavarësisë apo zhvillimet e fundit të raportuara në media.

“Për shumë njerëz që Kosovën e njohin nga larg, Kosova ende lidhet me luftën, me shpalljen e pavarësisë apo me lajmin e fundit që kanë parë. Diplomatët tanë punojnë çdo ditë që njohja për Kosovën të mos mbetet aty, por të përfshijë edhe vendin që jemi sot”, ka shkruar ushtruesja e detyrës së Presidentes.

Në fund, Haxhiu ka shprehur mirënjohje edhe për familjet e diplomatëve, duke përmendur sakrificat që bëhen gjatë shërbimit të tyre jashtë vendit.

“Shpreha edhe mirënjohjen time për familjet e gjithsecilit, fëmijët që ndërrojnë shkollë dhe bashkëshortët që përshtatin jetën e tyre në një vend të ri e të panjohur sa herë që ndryshon vendi ku shërbejnë”- u shpreh ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.

Burimi: Kallxo