Gjatë një patrullimi rutinë në rrugën “Zoran Gjingjiq” në Mitrovicën, Policia e Kosovës ka zbuluar veshje dhe pajisje ushtarake të fshehura në një pusetë kanalizimi. Lidhur me këtë rast, ish hetuesi Agim Rexhepi, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar se zbulimi kërkon vëmendje të veçantë nga institucionet e sigurisë.
“Gjetja e uniformave dhe pajisjeve ushtarake nga ana e Policisë së Kosovës nuk është një rast që duhet të kalojë si një lajm i zakonshëm policor. Gjetja e veshjeve dhe pajisjeve ushtarake të fshehura në një pusetë në Mitrovicën e Veriut është një zhvillim që kërkon vëmendje serioze nga institucionet e sigurisë”, ka vlerësuar ai.
Agim Rexhepi Rexhepi ka theksuar se nuk duhet të paragjykohet se kush i ka vendosur pajisjet apo për çfarë qëllimi, duke shtuar se përgjigjet duhet t’i japë hetimi. “Nuk dua të paragjykoj se kush i ka vendosur aty dhe as për çfarë qëllimi janë destinuar. Këtë duhet ta përcaktojë hetimi. Por një gjë është e qartë: pajisjet ushtarake nuk përfundojnë rastësisht të fshehura në puse kanalizimi.
Dhe nëse ky nuk është rasti i parë që në këtë zonë gjenden pajisje të tilla, atëherë kemi të bëjmë me një sinjal që institucionet duhet ta analizojnë shumë më thellë.Pyetja nuk duhet të jetë vetëm: ‘Çfarë gjeti Policia?’ Pyetja kryesore duhet të jetë: Kush i ka siguruar këto pajisje, nga kanë ardhur, kur janë vendosur aty, kush ka pasur qasje në to dhe për çfarë qëllimi janë fshehur?
Këto janë pyetjet që duhet t’u japë përgjigje hetimi. Gjithashtu duhet të verifikohet nëse këto pajisje janë përdorur më parë, nëse kanë qenë pjesë e ndonjë aktiviteti të paligjshëm dhe nëse kanë lidhje me raste të tjera të evidentuara në të kaluarën” , ka theksuar ai.
Sipas Rexhepit, rasti duhet të analizohet në raport edhe me raste të tjera të ngjashme, ndërsa institucionet e sigurisë duhet të kenë qasje parandaluese. “Për këtë arsye, mendoj se Policia e Kosovës nuk duhet ta trajtojë këtë vetëm si një rast të izoluar.
Duhet të bëhet analizë krahasuese me të gjitha rastet e mëparshme të ngjashme, të identifikohen lidhjet e mundshme dhe të ndërtohet një pamje e plotë e situatës. Institucionet e sigurisë duhet të jenë një hap përpara, jo një hap pas ngjarjeve.
Duhet të forcohet mbledhja e informacionit, analiza e inteligjencës, kontrolli i zonave të ndjeshme dhe bashkëpunimi ndërmjet Policisë, institucioneve të tjera të sigurisë, prokurorisë dhe partnerëve ndërkombëtarë”, ka deklaruar Rexhepi.
Gjithashtu, ai ka bërë thirrje që rasti të hetohet me profesionalizëm dhe institucionet të veprojnë menjëherë nëse konstatohen kërcënime ndaj sigurisë publike. “Nuk duhet të ketë panik dhe nuk duhet të stigmatizohet asnjë komunitet. Institucionet duhet të jenë të forta ndaj çdo veprimi të paligjshëm, por njëkohësisht profesionale dhe të sakta.
Të hetojnë personat përgjegjës, rrjetet dhe faktet konkrete. Nëse rezulton se pajisjet janë të braktisura dhe nuk kanë lidhje me ndonjë aktivitet kriminal, këtë duhet ta thotë hetimi.
Por nëse zbulohen lidhje me veprimtari të organizuar, përgatitje për aktivitete të paligjshme apo kërcënime ndaj sigurisë publike, atëherë institucionet duhet të veprojnë menjëherë dhe me forcën e ligjit” , ka thënë ai.
Në fund, Rexhepi ka kërkuar që rasti të mos minimizohet, duke shtuar që institucionet të zbulojnë kush i vendosi pajisjet, pse dhe nëse pas tyre fshihet një rrjet më i gjerë. “Mesazhi im është i thjeshtë: mos ta minimizojmë, por as të mos spekulojmë. Ta hetojmë deri në fund. Sepse siguria nuk matet vetëm me atë se sa shpejt Policia i gjen pajisjet.
Siguria matet edhe me atë se sa shpejt institucionet arrijnë të kuptojnë se kush i ka vendosur, pse i ka vendosur dhe nëse pas tyre ekziston një rrjet më i gjerë. Prandaj, ky rast duhet të shërbejë si një alarm për më shumë koordinim, më shumë inteligjencë parandaluese dhe më shumë profesionalizëm institucional.
Qytetarët kanë të drejtë të ndihen të sigurt dhe kanë të drejtë të presin nga institucionet që çdo sinjal i mundshëm i rrezikut të merret seriozisht. Pajisjet janë gjetur. Tani detyra e institucioneve është të gjejnë përgjigjet” , ka thënë Rexhepi për “Bota sot”.
