Ish-kryeministri shqiptar reagon ndaj deklaratës së Vuçiqit për lumin

0%

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër në territorin e Serbisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, citohet të ketë deklaruar se po e shqyrtojnë ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër në territorin e Serbisë, për shkak të siç tha – qëndrimit të autoriteteve kosovare ndaj popullit serb në Kosovë. “Ne tashmë kemi ftuar ekspertët që merren me këtë çështje, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë.

Meqë po e maltretojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim, kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, dhe pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen” – citohet të ketë deklaruar Vuçiq të dielën gjatë vizitës së punimeve në Urën e Vjetër Hekurudhore në Beograd.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Përmes një postimi në Facebook, ish-kryeministri shqiptar, Majko ka kritikuar ashpër deklaratën e presidentit serb, duke e lidhur atë me raportet e Beogradit me shqiptarët dhe me zhvillimet politike në rajon. “Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se autoritetet serbe po shqyrtojnë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër në territorin e Serbisë!

Ai e lidh këtë veprim shtetëror me trajtimin e serbëve nga autoritetet në Prishtinë, “… dhe do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”!”, ka shkruar Majko. Ai e ka cilësuar këtë qasje si të papërshtatshme për një shtet që synon integrimin në Bashkimin Evropian.

“Në hapësirën europiane ku Serbia dëshiron të bëjë pjesë, reflekse të tilla vijnë nga periudha përpara se qytetërimi të shkruante ligjet!”, ka deklaruar Majko. Sipas tij, presidenti serb po tenton që raportet me shqiptarët t’i shndërrojë në temë të politikës së brendshme në Serbi.

“Duket se Aleksandar Vuçiq dëshiron që ‘marrdhënien me shqiptarët’ ta bëj fabulën e zgjedhjeve elektorale në Serbi!”, ka shkruar ai. Majko është ndalur edhe te vizita e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Beograd, duke e lidhur atë me politikën e Serbisë ndaj Kosovës, Rusisë dhe Ukrainës.

Ai ka cituar edhe deklaratën e Vuçiqit lidhur me vizitën e Zelenskyt: “A kanë pasur shqiptarët goditje më të fortë se kjo në 14 vitet e fundit?” Sipas Majkos, vizita e presidentit ukrainas në Beograd ngre pikëpyetje për politikën e jashtme të Serbisë.

“Në fakt, vizita e presidentit Zelenski në Begrad ngre pikëpyetje thelbësore për seriozitetin e politikës shtetërore serbe!”, ka shkruar Majko. Ai ka kritikuar gjithashtu qëndrimin e Serbisë ndaj politikës së Bashkimit Evropian për Rusinë.

“Vështirë të gjesh një precedent të dytë ku një shtet që dëshiron të integrohet në Bashkimin Europian refuzon të ndjekë politikën europiane me Rusinë, për shkak të marrdhënieve të veçanta me Moskën!”, ka deklaruar Majko.

Në reagimin e tij, ish-kryeministri shqiptar ka përmendur edhe serbët që kanë shkuar për të luftuar në Ukrainë në krah të forcave ruse, si dhe pretendimet për tregti armësh të Serbisë me Ukrainën.

“Vështirë të gjesh një rast në histori, kur nga një komb si ai serb shkojnë me qindra vullnetarë për të luftuar në krah të rusëve në Ukrainë, ndërsa qeveria e tyre bën tregëti armësh me Kievin!”, ka shkruar ai. Majko ka kritikuar edhe interpretimin e Beogradit për faktin që presidenti ukrainas nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

“Të ‘gëzohesh’ pse presidenti ukrainas, për arsye të rrethanave të vendit të tij, nuk njeh Kosovën nuk është sukses!”, ka shkruar Majko. Ai ka vazhduar me kritikat ndaj politikës së Beogradit, duke thënë se furnizimi me armë i Ukrainës nga Serbia, sipas tij, përbën një qëndrim kontradiktor ndaj vullnetarëve serbë që luftojnë në krah të Rusisë.

“Të ‘vrasësh’ me armë serbe, vullnetarët serbë që luftojnë kundër Ukrainës ky është një guxim që tejkalon edhe ‘ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër’!”, ka deklaruar Majko. Në fund, Majko ka thënë se politika e Vuçiçit ndodhet në një pikë të vështirë dhe ka përdorur një referencë nga përralla e Hans Christian Andersenit. “Politika e ‘Aleksandrit të vogël’ të Serbisë është në një udhëkryq!

Ajo ju duhet përkthyer serbëve… dhe jo shqiptarëve! Kjo politikë të kujton veç përrallën e Andersenit të mbretit lakuriq…!”- ka përfunduar Majko. Pandeli Majko ishte kryeminister i Shqipërisë gjatë viteve 1998 – 1999. Gjatë kësaj periudhe, ai udhëhoqi qeverinë gjatë Luftës së Kosovës dhe krizës masive të refugjatëve, ku Shqipëria strehoi qindra mijëra shqiptarë të dëbuar nga Kosova.

Majko ishte kryeminister edhe në periudhën shkurt – korrik të vitit 2002.

Burimi: Kallxo