Dy shoferë janë gjobitur me gjithsej 600 euro për kundërvajtje të rënda në trafik në rrugën “Skënderbeu” në Shtime, ndërsa ndaj tyre janë shqiptuar edhe pikë negative dhe masa mbrojtëse për ndalim të drejtimit të automjetit. Policia ka bërë të ditur se gjatë kontrolleve të shtuara ka identifikuar drejtuesin F.O., 33-vjeçar, duke bërë tejkalim në vijë të plotë, në një kthesë me dukshmëri.
Ai po drejtonte një automjet “VW Caddy” me targa vendore. Për këtë kundërvajtje, 33-vjeçari është gjobitur me 200 euro, i janë shqiptuar dy pikë negative, si dhe masa mbrojtëse prej tre muajsh ndalim të drejtimit të mjetit. Në të njëjtën rrugë është ndaluar edhe M.B., 37-vjeçar, i cili me një “VW Passat” kishte bërë tejkalim në vijë të plotë.
Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë konstatuar se automjeti i tij kishte regjistrimin e skaduar që nga 17 korriku 2025. Për këto dy kundërvajtje, 37-vjeçari është gjobitur me gjithsej 400 euro, ndërsa i janë shqiptuar dy pikë negative dhe masa mbrojtëse prej tre muajsh ndalim të drejtimit të automjetit.
“Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me kontrollet e rregullta dhe aktivitetet e intensifikuara në trafik, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe zbatimin e plotë të dispozitave ligjore”, thuhet në njoftimin e Policisë.
