Për të 70-ën ditë, qytetarë të mbledhur në Tiranë kanë protestuar kundër projektit të investimit turistik që parashikohet të ndërtohet në zonën e Zvërnecit. Tubimi nisi në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas protestuesit u nisën në këmbë drejt Kryeministrisë.
Gjatë marshimit ata mbanin pankarta dhe flamuj kombëtarë, ndërsa shpalosën edhe një sërë kërkesash që lidhen me territorin, mjedisin dhe sistemin zgjedhor. Në fokus të protestës ishte kundërshtimi i projektit në Zvërnec. Protestuesit kërkuan gjithashtu që të rishikohen ndryshimet e bëra në ligjin për zonat e mbrojtura. Pjesë e tubimit ishin edhe çështje të tjera politike.
Qytetarët kërkuan ndryshimin e ligjit zgjedhor, ndërsa kundërshtuan edhe hartën e re territoriale të propozuar nga Partia Socialiste, e cila parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46. Gjatë marshimit nuk munguan as thirrjet politike kundër kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës, Sali Berisha. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
