Personat që vuajnë nga dhimbjet e shpinës duhet të përfshijnë më shumë qiqra në regjimin ushqimor, pasi ato janë të pasura me proteina bimore, fibra dhe minerale të rëndësishme për shëndetin e kockave dhe muskujve, sipas “Science”.
Qiqrat përmbajnë proteina që ndihmojnë në mirëmbajtjen e masës muskulore, si dhe magnez, kalcium dhe fosfor – minerale të domosdoshme për forcimin e kockave dhe funksionimin normal të muskujve. Përmbajtja e lartë e fibrave ndihmon gjithashtu në shëndetin e zorrëve dhe në mbajtjen nën kontroll të proceseve inflamatore, kur konsumohen si pjesë e një diete të ekuilibruar.
Studimi, i kryer nga studiues të Universitetit të Miçiganit në SHBA, analizoi të dhënat e 4 123 pjesëmarrësve. Studiuesit zbuluan se personat me cilësi më të mirë të dietës, kishin 24% më pak gjasa të raportonin dhimbje kronike të shtyllës kurrizore. Në të kundërt, konsumimi i lartë i sheqernave të shtuara lidhej me një rrezik më të madh për dhimbje kronike të shpinës.
Një tjetër studim, i publikuar në revistën “The Journal of Pain”, krahasoi 53 pacientë me dhimbje kronike të mesit me 53 persona të shëndetshëm. Studiuesit konstatuan se pacientët me dhimbje kishin dietë më të varfër, konsumonin më pak proteina, fibra, magnez dhe acide yndyrore omega-3, ndërsa dieta e tyre ishte më pro-inflamatore – faktorë që mund të ndikojnë në intensitetin e dhimbjes.
Ekspertët theksojnë se, edhe pse qiqrat janë një zgjedhje shumë e shëndetshme, ato duhet të jenë pjesë e një diete të larmishme dhe të shoqërohen me aktivitet fizik, mbajtje të qëndrimit korrekt të trupit dhe trajtim mjekësor kur dhimbja e shpinës është e vazhdueshme ose e fortë.
Edhe “Qendra Kombëtare Amerikane për Shëndetin Plotësues dhe Integrues (NCCIH)”, thekson se ushqyerja e shëndetshme është vetëm një pjesë e menaxhimit të dhimbjeve të shpinës, krahas ushtrimeve fizike dhe trajtimeve të tjera të rekomanduara nga mjeku.
