Ka përfunduar marshimi i qytetarëve në Tiranë, në kuadër të protestës së 70-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Protestuesit u nisën nga Kryeministria dhe vijuan marshimin përgjatë Bulevardit “Bajram Curri”, në drejtim të zonës së Vasil Shantos.
Më pas, ata vijuan lëvizjen në Bulevardin “Gjergj Fishta”, për t’u rikthyer sërish në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë. Pikërisht aty, qytetarët mbyllën protestën e 70-të, pas disa orësh marshimi në rrugët e kryeqytetit. Ashtu si në netët e mëparshme, gjatë protestës nuk munguan thirrjet kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Në fund, protestuesit përsëritën thirrjen “Nesër më shumë!”, duke u bërë apel qytetarëve brenda dhe jashtë vendit që t’u bashkohen protestave. Një tjetër thirrje e protestuesve ishte pjesëmarrja në protestat kombëtare të paralajmëruara për datat 14, 15 dhe 16 gusht, ku pritet një pjesëmarrje e konsiderueshme e shqiptarëve nga diaspora.
Nga sheshi, protestuesit deklaruan se shumë emigrantë kanë zgjedhur të rikthehen në Shqipëri gjatë këtyre ditëve jo për pushime, por për t’iu bashkuar protestës kundër qeverisë.
