Real Madridi ka qenë një prej klubeve më aktive gjatë afatit kalimtar të verës, duke realizuar disa transferime të reja dhe duke larguar një numër lojtarësh nga skuadra. “Los Blancos” tashmë thuhet se janë pranë përfundimit të fazës së përforcimeve, pasi kanë afruar gjashtë futbollistë të rinj.
Tani, fokusi i klubit është zhvendosur te largimet, veçanërisht te lojtarët e ekipit të parë që nuk bëjnë pjesë në planet e trajnerit Jose Mourinho. Sipas gazetës “Marca”, Mourinho dhe drejtuesit e klubit kanë identifikuar katër futbollistë që mund të largohen gjatë kësaj vere. Bëhet fjalë për Raul Asencion, Eduardo Camavingan, Endrickun dhe Thiago Pitarchin.
Pitarch është aktualisht një prej kandidatëve më të mundshëm për t’u larguar nga Santiago Bernabeu, pasi ka tërhequr interesim nga Fulham. Klubi anglez drejtohet nga ish-trajneri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, i cili mund të jetë një faktor i rëndësishëm në transferimin e futbollistit. Ndërkohë, situata me Camavingan dhe Asencion është më e komplikuar.
Të dy futbollistët raportohet se kanë shprehur dëshirën për të qëndruar në Madrid dhe për të luftuar për një vend në formacionin e Mourinhos. Në anën tjetër, Endrick mund të largohet përkohësisht nga klubi. Braziliani mund të huazohet sërish, veçanërisht pas afrimit të Carlo Espit, i cili pritet ta ketë përpara tij në hierarkinë e sulmit.
Kështu, pasi ka punuar për përforcimin e skuadrës, Real Madridi tani pritet të fokusohet te menaxhimi i grupit dhe largimi i lojtarëve që nuk janë pjesë e planeve të trajnerit portugez.
