Vatrat e bisedimeve për krijimin e institucioneve të reja po përballen me refuzimet e para të prera. Për dallim nga Lidhja Demokratike, Partia Demokratike refuzoi t`i shkonte në takim kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e bërë të qartë, se për shkak të dallimeve të thella programore dhe konceptuale, do të qëndrojë në opozitë.
Ndërkohë, një takim i ngjashëm ka dështuar të realizohet edhe me Aleancën. Analistët paralajmërojnë se nëse partitë nuk lëvizin nga pozicionet e tyre fillestare, skenari i vetëm i mbetur në tryezë do të jetë ai që askush nuk e dëshiron: një tjetër cikël i parakohshëm zgjedhor.
Për dallim nga Lidhja Demokratike, Partia Demokratike e Kosovës ka refuzuar zyrtarisht ftesën për takim nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Përmes një letre zyrtare, PDK-ja bëri të ditur se për shkak të dallimeve të thella programore dhe konceptuale, do të qëndrojë në opozitë.
Në njoftimin zyrtar PDK, nënvizon se do ta ushtrojë përgjegjësinë e saj në opozitë, brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ndërkohë, një takim i ngjashëm ka dështuar të realizohet edhe me Aleancën. Deputeti Burim Ramadani, ka shkruar se arsyeja pse nuk po konstituohet Kuvendi është se Vetëvendosje nuk i ka 61 vota për këtë.
Njohës të politikës kritikojnë gjithë spektrin politik për ngërçin e krijuar politik tashmë që gati 2 vjet. ” Kjo tregon mungesë totale të kulturës dhe këtë po e paguajmë ne si popull sepse jemi në bllokadë që gati dy vite “, tha Adrian Zeqiri, njohës i politikës.
Duke i parë këto qëndrime të ngurta të partive politike, analistët vlerësojnë se ka mjaft pak shpresa për arritjen e një marrëveshjeje të shpejtë për postin e presidentit. Sipas ekspertëve, pozicionet e prera si të partnerëve potencialë të koalicionit, ashtu edhe të opozitës, po e çojnë vendin drejt një ngërçi të ri e të zgjatur politik.
“Nuk ka dallim kërkesat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila po i jep blanko votat Lëvizjes Vetëvendosje duke mos kërkuar asnjë pozitë ministrore, dhe këtyre të Lidhjes Demokratike të Kosovës që jam i bindur se do t’i parashtrojnë kërkesat e këtilla dhe njëkohësisht duke kërkuar pozita politike në ndarjen e pushtetit.
Prandaj janë këto dinamika shumë më të gjëra që unë besoj që nuk do të mund të tejkalohen aq lehtë ndërmjet këtyre dy subjekteve politike dhe që japin pak shpresë” , thotë Afrim Kasolli, njohës i politikës.
Në mungesë të institucioneve, Kosova tashmë ka humbuar dhjetëra miliona euro fonde nga Bashkimi Evropian, derisa paralajmërohen edhe pasoja për zhvillimin ekonomik të vendit e pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
