Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se shefi i Telekomit të Serbisë, Vladimir Luçiq, është shpallur person i padëshirueshëm (non grata) në Republikën e Kosovës, me ndalim të përhershëm të hyrjes, qëndrimit dhe kalimit transit.
Sveçla në njoftimin e tij në Facebook, tha se vendimi është marrë pas deklaratave publike të Luçiqit, duke theksuar se Kosova nuk do të lejojë veprime apo deklarata që cenojnë rendin kushtetues, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, përcjell “Bota sot”.
Njoftimi i plotë Askush nuk mund të hyjë në territorin e Republikës së Kosovës dhe nga këtu, të veprojë apo të deklarohet kundër rendit tonë kushtetues, sovranitetit dhe integritetit territorial. Nuk do të tolerojmë promovimin apo mbështetjen e politikave që cenojnë autoritetin e institucioneve tona dhe vënë në pikëpyetje shtetësinë e Republikës së Kosovës.
Për këtë arsye, bazuar në deklaratat publike të shefit të Telekomit të Serbisë, Vladimir Luçiq, kam marrë vendim që ai të shpallet person i padëshirueshëm (non grata) në Republikën e Kosovës, me ndalim të përhershëm të hyrjes, qëndrimit dhe kalimit transit në territorin e Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran.
Institucionet tona do të vazhdojnë të mbrojnë me vendosmëri rendin kushtetues, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.
