Përmbytjet e shkaktuara nga shirat musonikë në Indinë verilindore kanë shkaktuar vdekjen e gati 100 personave, në një nga episodet më të rënda të reshjeve të viteve të fundit. Sipas autoriteteve, të paktën 97 persona kanë humbur jetën në shtetin Assam, ndërsa rreth 170 mijë banorë janë prekur nga përmbytjet e menjëhershme dhe rrëshqitjet e dheut.
Mijëra njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të kërkojnë strehim në kampet e ndihmës. Përmbytjet kanë dëmtuar rëndë edhe tokat bujqësore, me më shumë se 140 mijë hektarë sipërfaqe të punueshme të mbuluara nga uji, një zonë pothuajse një herë e gjysmë më e madhe se qyteti i Parisit.
Një gazetar i AFP-së ka raportuar se në distriktin Sivasagar, një nga zonat më të goditura, janë parë shtëpi gjysmë të zhytura në ujë, pemë të shkulura dhe automjete të mbuluara nga balta.
Kryeministri i shtetit Assam, Himanta Biswa Sarma, publikoi të dielën një video ku shfaqej duke ngushëlluar prindërit e një 13-vjeçari, i cili humbi jetën teksa po përpiqej të shpëtonte qenin e tij gjatë rritjes së nivelit të ujërave të përmbytjes. “Asnjë prind nuk duhet të detyrohet kurrë t’i thotë lamtumirë fëmijës së tij”, shkroi ai. Ministri indian i Shëndetësisë, J. P.
Nadda, i cili vizitoi zonat e prekura të dielën, tha se shkalla e shkatërrimit ishte “e tillë që do të duhet kohë” për rikthimin e normalitetit. “Fshatrat u përmbytën njëri pas tjetrit”, u tha ai gazetarëve.
Ashtu si në pjesët e tjera të Indisë, përmbytjet janë të zakonshme në Assam gjatë sezonit të shirave musonikë, nga qershori deri në shtator, veçanërisht kur lumi Brahmaputra dhe degët e tij dalin nga shtrati. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
