Hoti reagon ashpër: Opozita po e bllokon Kosovën vetëm për ta ndalur

0%

Ministri në detyrë i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, njëherit deputet i VV-së, Andin Hoti ka reaguar me tone të ashpra ndaj bllokadës politike për konstituimin e institucioneve të reja të Kosovës, duke akuzuar partitë opozitare se po veprojnë në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet parlamentare.

Përmes një reagimi publik, Hoti ka kritikuar veçmas PDK-në, AAK-në dhe LDK-në, duke i cilësuar qëndrimet e tyre si të papërgjegjshme dhe të motivuara nga interesa partiake, ndërsa ka vlerësuar se refuzimi për dialog dhe vendosja e kushteve po e mbajnë peng funksionalizimin e institucioneve të vendit, përcjell “Bota sot”.

Sipas tij, partitë që kanë fituar mandate në Kuvend kanë obligim politik dhe institucional të angazhohen në gjetjen e një zgjidhjeje, e jo të shmangin përgjegjësinë apo të kërkojnë në tavolinën e negociatave atë që, siç thotë ai, nuk e kanë fituar me votën e qytetarëve. Reagimi i plotë Kjo që po ndodh në Kosovë nuk është më vetëm papërgjegjësi politike.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Është përbuzje ndaj vullnetit të qytetarëve. PDK dhe AAK kanë zgjedhur rrugën më të lehtë për ta, por jo për popullin dhe Kosovën: t’i çojnë duart lart, të tërhiqen nga çdo bisedim dhe pastaj, nga distanca, të tregojnë me gisht të tjerët. Por, po harrojnë që liderët e partive politike nuk janë ‘drejtorë të kompanive të kërpudhave’.

Udhëheqin parti që kanë marrë votën e qytetarëve dhe mandate në Kuvendin e Republikës. Kanë përgjegjësi politike, demokratike e institucionale të ulen në tavolinë dhe të diskutojnë për krijimin e institucioneve të vendit. PDK-ja thotë: ne nuk lëvizim asnjë hap, pikë. Dhe këtu mbaron edhe ‘dashuria ndaj shtetit për ta’ AAK-ja, ndërkaq, ka zgjedhur një lojë të shëmtuar.

Vendos kushte dhe i ambalazhon si sakrificë për qytetarin, sikur papritur aty qenka shpëtimi i Kosovës. Harrojnë se kanë qenë dhjetëra herë pjesë e pushtetit dhe shumë prej këtyre “kauzave jetike” nuk i kanë pasur as prioritet politik, as plan serioz e aq më pak zbatim kur vetë kanë qeverisur.

Tani, pasi Albin Kurti ka udhëhequr një qeverisje që ka forcuar sovranitetin e vendit dhe ka avancuar Kosovën në shumë fusha, dalin me lojëra të ulëta politike dhe përpiqen t’i shiten qytetarit si shpëtimtarë. E neveritshme! Ndërkaq LDK-ja, në vend që rezultatin zgjedhor ta lexojë siç është, po tenton që votën e qytetarëve ta shndërrojë në monedhë për pazare të brendshme.

Po kërkon që apetitet dhe problemet e veta të brendshme t’i qetësojë me pozita institucionale të cilat qytetari nuk ia ka dhënë me votë. Jo! Demokracia nuk funksionon kështu.

Zgjedhjet e fundit, sikurse edhe dy palë zgjedhje para tyre, kanë dhënë një mesazh politik që nuk mund të fshihet me negociata pas dyerve të mbyllura: qytetarët kanë treguar qartë se kujt ia besojnë barrën kryesore të qeverisjes. Vullneti i popullit nuk tregtohet! Nuk mund të humbësh në zgjedhje dhe pastaj të kërkosh në tavolinë atë që qytetarët nuk ta dhanë në kuti të votimit.

Dhe sot, për shkak të interesave partiake, personale e kalkulimeve të vogla politike, po mbahet peng funksionalizimi i institucioneve dhe vullneti i qytetarëve. Pastaj çuditshëm, e marrin guximin të pyesin: “Pse nuk po formohen institucionet?” Sepse disa kanë vendosur se është më e rëndësishme ta bllokojnë Albin Kurtin sesa ta zhbllokojnë Kosovën.

Sepse për disa, duket se çdo rezultat është i pranueshëm, përveç rezultatit që e ka dhënë populli. Kjo nuk është opozitarizëm. Kjo është marrëzi politike. Kosova nuk është pronë e asnjë partie. As institucionet nuk janë plaçkë për t’u ndarë deri sa secili të kënaqë apetitet e veta. Secili duhet ta marrë përgjegjësinë që ia ka dhënë vota. As më shumë, as më pak.

Burimi: Bota Sot