Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se vendimi për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit i takon ekskluzivisht kryesuesit të seancës, duke theksuar se ai nuk është përfshirë në çështjet procedurale.
Kurti tha se nuk është takuar dhe as nuk planifikon të takohet me kryesuesin e seancës, Avni Deharin, pasi, sipas tij, është i angazhuar me punët e Qeverisë dhe me përpjekjet për konstituimin e institucioneve. “Seanca konstituive e Kuvendit ka nisur dje. Kur vazhdon vendos kryesuesi i seancës.
Unë nuk jam takuar sot me kryesuesin e seancës dhe nuk e kam ndërmend të takohem me kryesuesin e seancës, sepse kam shumë punë si kryeministër në detyrë”- tha Kurti për media më .
Ai shtoi se, përveç punëve si kryeministër në detyrë nuk ka shumë kohë për krejt gjërat, pasi që përveç bisedimeve me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, po zhvillon komunikim edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, i cili, sipas tij, ka refuzuar të takohet me të.
“Ju e dini, përveç që duhet të vij në bisedime me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, e duhet të shkruaj letra me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, sepse ai refuzon të takohet me mua, kam shumë punë me të gjithë ministrat dhe me projektet që vazhdojnë.
Sepse shteti dhe Qeveria nuk do t’ia dijë që ti ke takime e letra zyrtare me krerët e opozitës, e aq më pak mund të merrem me çështje juridike, procedurale që i përkasin kryesuesit të seancës. Pa dyshim që në këto orë të pasdites do ta kuptoni a do të thirret vazhdimi i seancës dhe kur”- deklaroi Kurti.
Kallxo.com ka provuar të flasë me kryesuesin Avni Dehari, por i njëjti nuk u është përgjigjur telefonatave. Kurti ka kritikuar edhe, siç i quajti ai, “superambiciet” politike që, sipas tij, bien ndesh me vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhje.
“Nëse në skenën tonë politike gjallojnë superambiciet, kjo i bie që të mos mbajmë zgjedhje fare, por vetëm të takohemi si liderë strukturash ose liderë fisesh në log të burrave edhe ta ndajmë këtë hise”- deklaroi Kurti.
Nuk është arritur asnjë marrëveshje mes kryeministrit në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Kurti pas takimit të katërt me kryetarin Abdixhiku tha se ka dallim drastik mes rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të LDK-së, parti kjo e cila po e kërkon presidentin.
Kurti tha se në takim janë diskutuar mundësitë dhe vështirësitë për konstituimin e institucioneve të reja. “Takimi ishte i hapur, i sinqertë. Diskutuam për mundësitë dhe vështirësitë e konstituimit të institucioneve. Nuk kemi ende marrëveshje politike”- deklaroi ai.
Sipas tij, për të siguruar stabilitet institucional dhe për të shmangur zgjedhjet e reja, është e domosdoshme që partitë të arrijnë marrëveshje edhe për zgjedhjen e presidentit ose presidentes së ardhshme. “Jam i bindur që për qëndrueshmëri, përpara që të evitohen zgjedhjet, nuk mundet ndryshe përveçse me marrëveshje për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së re.
Në kushtet kur zgjedhim kryetarin e Kuvendit dhe qeverinë pa presidentin, është metodë e provuar dhe do të sillte pashmangshëm në shpërndarjen e Kuvendit”- u shpreh Kurti. Ai theksoi se dallimet mes dy partive mbeten të mëdha, duke vlerësuar se kërkesat e LDK-së nuk janë në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve.
“Qëndrimet nuk përputhen dhe bindja ime është që ka dallim drastik mes rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Si LVV nuk mund të bëjmë marrëveshje që deformon rezultatin zgjedhor”- tha Kurti.
Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se nuk sheh asnjë arsye për shtyrjen e konstituimit të Kuvendit, duke theksuar se seanca konsituove duhet të ftohet sot më , duhet të përfundojë me themelimin e legjislaturës së re.
“Nuk kam lajme të reja, por jemi shumë, shumë larg marrëveshjes”- tha Abdixhiku pas takimit të katërt me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin. Abdixhiku paralajmëroi se çdo vonesë mund ta thellojë paqartësinë kushtetuese dhe ta bëjë edhe më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje politike. “Për LDK-në dhe për mua nuk ka arsye që të vonohet konstituimi i Kuvendit.
Sot duhet të ketë seancë dhe të konstituohet Kuvendi, e nuk duhet të futemi në paqartësi kushtetuese”- tha Abdixhiku. Ai shtoi se me kalimin e kohës mundësitë për një dakordim politik po zvogëlohen. “Sa më shumë që po vonohemi, edhe marrëveshja bëhet më pak e mundur. Jemi shumë, shumë, shumë larg ndonjë marrëveshjeje eventuale”- deklaroi Abdixhiku.
Abdixhiku, ka deklaruar se qëndrimi i LDK-së mbetet që kandidati për president të propozohet nga kjo parti, ndërsa emri të dakordohet në bashkëpunim me partnerët e mundshëm të koalicionit. Sipas Abdixhikut, ofertat që LDK-ja të marrë postin e zëvendëskryeministrit dhe disa ministri nuk janë të mjaftueshme për të arritur një marrëveshje.
“LDK ka kërkuar që presidenti të propozohet nga LDK-ja, ndërsa emrat të diskutohen me partnerët. Oferta që LDK të marrë zëvendëskryeministrin dhe disa ministri nuk është e mjaftueshme. S’mund ta trajtojmë me seriozitet”- deklaroi Abdixhiku. Abdixhiku, ka deklaruar se LDK-ja nuk pretendon postin e kryeministrit, duke theksuar se ai i takon partisë fituese të zgjedhjeve.
Sipas tij, edhe posti i kryetarit të Kuvendit i takon subjektit të parë, ndërsa përfaqësimi i vetëm që LDK-ja e konsideron si pjesë të një marrëveshjeje është posti i presidentit. “Kryeministri nuk na takon. Kryetari i Kuvendit i takon partisë së parë. Përfaqësimi i vetëm mbetet presidenti”- tha Abdixhiku.
E premtja e 7 gushtit, shënon afatin e fundit kushtetues për konstituimin e Kuvendit. Pas konstituimit të tij, nis automatikisht afati prej 60 ditësh për zgjedhjen e Presidentit ose Presidentes së Republikës. Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026, Lëvizja Vetëvendosje u rendit e para me 47.13% të votave, duke siguruar 53 ulëse në Kuvend.
Partia Demokratike e Kosovës fitoi 19.44% të votave dhe 22 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës mori 16.69% dhe 18 deputetë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës siguroi 6.74% të votave dhe shtatë ulëse. Nga 20 vendet e garantuara për komunitetet joshumicë, nëntë mandate i takojnë Listës Serbe dhe një Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Partia Demokratike Turke e Kosovës ka fituar dy mandate, ndërsa nga një mandat kanë siguruar Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjve për Integrim (PSA), Koalicioni VAKAT, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, Partia Liberale Egjiptiane, Partia e Re Demokratike, Unioni Socialdemokrat dhe Partia e Bashkuar e Goranëve.
