Qytetarë dhe aktivistë pritet të mblidhen sërish këtë të premte në Sheshin “Skënderbej”, duke shënuar ditën e 69-të të protestës kundër qeverisë. Pas grumbullimit në qendër të Tiranës, protestuesit marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë, ku bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protestuesit shprehen të vendosur se nuk do të ndalin protestat deri në largimin e kreut të qeverisë. Ata akuzojnë qeverinë për korrupsion dhe mungesë transparence, ndërsa kërkojnë largimin e të gjithë klasës politike dhe një ndryshim të sistemit.
Protesta nisi fillimisht si një kundërshti ndaj projektit për ndërtimin e një resorti turistik në Zvërnec, por me kalimin e ditëve është zgjeruar, duke marrë një karakter më të gjerë politik. Organizatorët kanë paralajmëruar se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim.
