Zubin Potoku nxjerr në dritë gjurmët e luftës – eksperti kërkon

0%

Zbulimi i mbetjeve mortore në disa lokacione në Zubin Potok, që dyshohet se lidhen me viktima të luftës së fundit në Kosovë, është një zhvillim me rëndësi të madhe për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe për hetimin e krimeve të pazbardhura të periudhës 1998-1999.

Pas gjetjeve të para, institucionet e drejtësisë në Kosovë kanë nisur procedurat e ekzaminimit mjeko-ligjor dhe analizave të ADN-së, me qëllim identifikimin e viktimave dhe përcaktimin e rrethanave në të cilat kanë humbur jetën. Procesi pritet të ofrojë përgjigje të shumëpritura për familjet e personave të zhdukur, të cilat prej dekadash kërkojnë të dinë fatin e të afërmve të tyre.

Zbulimet në Zubin Potok kanë rikthyer në fokus çështjen e varrezave masive dhe nevojën për një bashkëpunim më të madh institucional në identifikimin e lokacioneve të dyshuara dhe zbardhjen e krimeve të luftës. Për këtë çështje, për “Bota sot” foli eksperti austriak Gunther Fehlinger.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas tij, zbulimi i mbetjeve njerëzore në disa lokacione në Zubin Potok paraqet një zhvillim jashtëzakonisht të rëndësishëm për Kosovën, familjet e personave të zhdukur dhe procesin e hetimit të krimeve të pazbardhura të luftës.

Eksperti austriak Gunther Fehlinger Ai thekson se procesi duhet të zhvillohet me profesionalizëm të plotë, duke respektuar procedurat ligjore dhe standardet forenzike, në mënyrë që identifikimi i viktimave dhe përcaktimi i përgjegjësive të bëhen mbi bazën e provave të sakta.

“Zbulimi i mbetjeve njerëzore në disa lokacione në Zubin Potok është një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kosovën, për familjet e personave të zhdukur dhe për hetimin e krimeve të pazbardhura të kryera gjatë luftës së viteve 1998-1999. Këto gjetje duhet fillimisht të trajtohen me dinjitet, profesionalizëm forenzik dhe kujdes ligjor.

Analiza e ADN-së duhet të përcaktojë identitetin e çdo viktime, ndërsa prokurorët duhet të përcaktojnë kohën, rrethanat dhe përgjegjësinë për secilën vdekje. Deri në përfundimin e këtij procesi, përfundimet për viktima apo autorë të caktuar nuk duhet të paraqiten si fakte të përfunduara”.

Gjithashtu, Fehlinger vlerëson se këto zbulime dëshmojnë se edhe pas 27 vitesh nga përfundimi i luftës, lokacione të panjohura të varrezave mund të identifikohen përmes dëshmive të reja, punës profesionale të institucioneve dhe hetimeve forenzike.

Mes tjerash, ai potencon se çdo lokacion i zbuluar mund të sjellë përgjigje për familjet që kanë pritur për dekada, por njëkohësisht mund të përmbajë edhe prova për rrëmbime, ekzekutime, fshehje të trupave dhe përpjekje për pengim të drejtësisë. “Efektiviteti i hetimeve nuk duhet të matet vetëm me numrin e mbetjeve të gjetura.

Ai duhet të vlerësohet edhe përmes mënyrës se si ruhen vendngjarjet, si identifikohen viktimat përmes ADN-së, si sigurohet zinxhiri i provave, si merren në pyetje dëshmitarët dhe si hetohet se kush ka urdhëruar, kryer apo fshehur këto krime” , u shpreh eksperti austriak.

Ai ka theksuar se zbulimet në Zubin Potok e rrisin rëndësinë e Deklaratës për Personat e Zhdukur, të miratuar në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në vitin 2023, e cila parasheh bashkëpunim për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe shkëmbimin e informacioneve relevante. “Bashkimi Evropian duhet të insistojë në zbatimin e plotë të kësaj marrëveshjeje.

Serbia duhet të sigurojë qasje të pakufizuar në arkivat ushtarake, policore, të shërbimeve të sigurisë, komunale dhe shtetërore nga periudha e luftës. Duhet të bëhen publike dokumentet operative, të dhënat për transportin, informacionet për varrosjet dhe çdo informacion që lidhet me varrezat primare, sekondare apo të fshehura.

Bashkëpunimi për personat e zhdukur nuk mund të mbetet vetëm një pikë simbolike e dialogut të Brukselit” , deklaroi Fehlinger. Ai vlerëson se Bashkimi Evropian duhet ta lidhë bashkëpunimin e matshëm të Serbisë për personat e zhdukur dhe provat e krimeve të luftës me procesin e saj drejt anëtarësimit në BE dhe përfitimet politike e financiare që lidhen me të.

Duke folur për ndikimin e këtyre zbulimeve në proceset gjyqësore për krime lufte, eksperti austriak thotë se provat forenzike mund të luajnë rol të rëndësishëm në forcimin e rasteve penale, pasi mund të ndihmojnë në identifikimin e viktimave, përcaktimin e numrit të tyre, zbulimin e modeleve të krimeve dhe lidhjen e lokacioneve të ndryshme.

“Çdo proces gjyqësor duhet të vendosë një lidhje individuale të provave mes krimit dhe të akuzuarit. Vonesat në identifikimin përmes ADN-së mund të ngadalësojnë hetimet dhe gjykimet, ndërsa identifikimi i suksesshëm mund të forcojë rastet, të korrigjojë të dhënat historike dhe t’u japë familjeve të vërtetën që e kanë kërkuar për kaq gjatë”, tha ai.

Në fund, eksperti ka bërë thirrje që çështja e personave të zhdukur të mos përdoret për përplasje politike apo tensione ndëretnike, duke theksuar se të gjitha viktimat, pa dallim përkatësie, kanë të drejtë për identifikim, dinjitet dhe drejtësi. “Familjet e personave të zhdukur kanë pritur shumë gjatë.

Institucionet e Kosovës, Serbia, Bashkimi Evropian, EULEX-i, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq dhe të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të bashkëpunojnë derisa të zbardhet fati i çdo personi të zhdukur.

Nuk mund të ketë normalizim afatgjatë mes Kosovës dhe Serbisë pa të vërtetën për personat e zhdukur, pa përgjegjësi për krimet e luftës dhe pa zbardhjen e plotë të lokacioneve ku janë varrosur viktimat”, përmbylli Gunther Fehlinger për “Bota sot”.

Burimi: Bota Sot