Një video e siguruar nga Policia ka vënë në lëvizje hetuesit në Klinë, pasi në të shihet një person duke shtënë me armë zjarri gjatë një ahengu familjar. Sinjali mëson se personi që dyshohet se shfaqet në video është këngëtari Labinot Rexha .
Sipas burimeve, videoja është pranuar më 5 gusht, ndërsa pas analizimit të saj, hetuesit kanë identifikuar të dyshuarin dhe kanë nisur veprimet hetimore. Nga informacionet e siguruara, dyshohet se gjatë performancës muzikore, Labinot Rexha ka marrë një pistoletë dhe ka shtënë katër herë në ajër.
Burimet bëjnë të ditur se hetuesit kanë kontaktuar me këngëtarin, i cili ka njoftuar se do të paraqitet në Polici për intervistim. Ndërkohë, organizatori i dasmës ka deklaruar se arma nuk ishte e këngëtarit, por i përkiste një mysafiri që jeton në Austri dhe ndodhet për pushime në Shqipëri. Sipas tij, edhe ai person është zotuar se do të paraqitet në Polici për intervistim.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar procedurë për veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës” dhe “Përdorim i armës”. Hetimet janë në vazhdim dhe autoritetet pritet të vendosin për hapat e mëtejshëm pas intervistimit të personave të përfshirë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
