Begaj i kërkon Ekuadorit të shqyrtojë njohjen e Kosovës

0%

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i ka kërkuar Ekuadorit që të konsiderojë mundësinë e njohjes së Republikës së Kosovës, gjatë takimit me ambasadorin e ri ekuadorian, Esteban Assar Moscoso Bohman. Ambasadori i Ekuadorit, rezident në Romë, i ka paraqitur sot Letrat Kredenciale presidentit Begaj, në një ceremoni zyrtare në Presidencën e Shqipërisë.

Gjatë takimit, Begaj i uroi ambasadorit sukses në misionin e tij diplomatik dhe shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

Sipas Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), kreu i shtetit shqiptar vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve në kuadër të organizatave ndërkombëtare, ndërsa theksoi rëndësinë e mbështetjes së Ekuadorit për Kosovën. Begaj kërkoi që Ekuadori të shqyrtojë njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar këtë hap si një kontribut për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ekuadori është një nga shtetet që ende nuk e ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës. Shqipëria vazhdimisht ka lobuar me vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, duke kërkuar mbështetje për anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.

Burimi: Telegrafi