Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të tentim-vetëlëndimit në Parkun e Lirisë në Ferizaj, ku një 31-vjeçar dyshohej se kishte me vete një armë zjarri. Sipas njoftimit të Policisë, rasti është raportuar të enjten, më , kur stacioni policor në Ferizaj është informuar se një person po tentonte t’i bënte keq vetes.
“Pas marrjes së informacionit, pjesëtarët e policisë të Qendrës së Komunikimit Rajonal kanë kontaktuar menjëherë me personin dhe kanë mbajtur komunikim të vazhdueshëm me të, me qëllim qetësimin e situatës dhe bindjen e tij që ta largonte armën dhe ta vendoste në një vend të sigurt deri në arritjen e patrullave policore”- shkruan Policia.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore të Stacionit Policor në Ferizaj, të cilat kanë arritur ta qetësojnë situatën dhe ta largojnë armën e zjarrit, një pistoletë, që ndodhej pranë personit në një stol të parkut.
Policia njofton se falë komunikimit të vazhdueshëm dhe reagimit të shpejtë të zyrtarëve policorë, 31-vjeçari është larguar nga zona e parkut dhe është dërguar në një vend të sigurt. Më pas, ai është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj, ku ka marrë ndihmë mjekësore dhe trajtimin e nevojshëm nga ekipi i Emergjencës.
Lidhur me rastin janë njoftuar prokurori i shtetit dhe familjarët e personit. Ndërkohë, stacioni policor në Ferizaj thuhet se ka konfiskuar armën e zjarrit së bashku me gjashtë fishekë.
