Ukraina ka njoftuar se ka goditur dy rafineri nafte thellë brenda territorit rus, si dhe disa anije në Detin e Zi, në një seri sulmesh me dronë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se në shënjestër ishin rafineritë Bashneft-Novoil dhe Slavneft-Yanos, me synimin për t’i kufizuar të ardhurat nga nafta që, sipas tij, Moska i përdor për financimin e luftës.
Guvernatori i rajonit të Yaroslavlit, Mikhail Evraev, bëri të ditur se rafineria Slavneft-Yanos u përfshi nga zjarri pas asaj që ai e cilësoi si sulmin më të madh me dronë në rajon. Sipas tij, katër persona u plagosën. Zelensky tha se rafineria Bashneft-Novoil ndodhet rreth 1,300 kilometra larg kufirit ukrainas, ndërsa Slavneft-Yanos rreth 700 kilometra larg.
Presidenti ukrainas deklaroi gjithashtu se në Detin e Zi janë goditur dy anije patrulluese ushtarake dhe anije të ashtuquajturës “flotë në hije”, të cilat dyshohet se përdoren nga Rusia për eksportimin e naftës së sanksionuar. Ndërkohë, Ukraina njoftoi se të paktën 11 persona janë vrarë nga sulmet ruse, ndërsa qyteti jugor Kherson mbeti pa energji elektrike.
Rusia tha se sulmet e saj kishin në shënjestër objekte të karburantit, energjisë dhe transportit. Të dyja palët kanë intensifikuar sulmet ndaj qyteteve, objekteve energjetike dhe depove, ndërsa përpjekjet diplomatike për përfundimin e luftës nuk kanë sjellë përparim. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
