Shpërndaje në: Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka bërë thirrje për konstituim të Kuvendit dhe që më pas të vazhdojnë bisedimet politike për formim të Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit. Të enjten, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili po negocion me LDK-në për formim të institucioneve, kërkoi kohë shtesë për negociata.
Ai nuk propozoi ndonjë emër për kryeparlamentar. E afati kushtetues për konstituim përfundon të premten në mbrëmje. “Kanë mbetur vetëm disa orë deri në përfundimin e afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Republikës. Kosova nuk duhet të hyjë në vakum institucional, e aq më pak të krijojë precedent që afatet kushtetuese mund të shtyhen pa fund.
Rruga është e qartë: ta zgjedhim Kryetarin e Kuvendit dhe ta konstituojmë institucionin më të lartë përfaqësues të vendit. Më pas, bisedimet politike le të vazhdojnë, ashtu siç e parasheh Kushtetuta – me afatet për formimin e Qeverisë dhe, në kohën e duhur, për zgjedhjen e Presidentit. Shteti nuk ndërtohet duke zvarritur vendimet, por duke respektuar Kushtetutën.
Sot kërkohet përgjegjësi, maturi dhe vendimmarrje. Kosova nuk ka nevojë për kriza të reja, por për institucione funksionale dhe lidership që e vendos interesin e Republikës mbi çdo interes tjetër”, ka shkruar Gashi në Facebook. Përderisa partitë tjera që deri tash ishin në opozitë, Partia Demokratike dhe Aleanca kritikuan shtyrjen, LDK-ja nuk ka dalë me qëndrim publik.
