Banorët e rrugës “Shaip Kamberi” në kryeqytet i kanë bërë thirrje Komunës së Prishtinës dhe kryetarit Përparim Rama për ndërhyrje të menjëhershme infrastrukturore, si pasojë e hapjes së një grope të madhe në mes të rrugës. Dëmtimi i asfaltit ndodhet në pjesën e naltësisë që lidhet me rrugën “Mustafë Hoxha”, çka përbën rrezik të drejtpërdrejtë për drejtuesit e automjeteve dhe këmbësorët.
Sipas banorëve të zonës, rreziku shtohet edhe më shumë për shkak se rruga është me pjerrësi teposhtëze, ndërsa sinjalizimi aktual është tërësisht joprofesional. “Momentalisht është shënuar vetëm në mënyrë improvizuese me një shkop dhe një bidon plastik, gjë që nuk është e mjaftueshme.
Sidomos gjatë natës ose për ata që nuk e njohin rrugën, kjo mund të shkaktojë aksident pasi është në mes të rrugës teposhtëze”, ka deklaruar një banor i lagjes, raporton Telegrafi. Përmes këtij apeli publik, qytetarët kërkojnë nga organet komunale që të marrin masa të shpejta për sanimin e rrugës përpara se të ndodhë ndonjë incident me pasoja të rënda.
“Si banorë të lagjes, kërkojmë që të ndërhyhet sa më shpejt për ta siguruar dhe riparuar këtë pjesë të rrugës, para se të ndodhë ndonjë rast i padëshiruar. Ju lutem, të meirë komuna masa urgjente”, ka përfunduar ai. / Telegrafi
