Duke e komentuar deklaratën e presidentit të të Serbisë Aleksandar Vuçiç se Bosnja dhe Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, njohësi i çështjeve të sigurisë, Dorajet Imeri, theksoi se kjo ndodh vetëm për shkak të kundërshtimit të Republikës Srpska, e cila e bllokon Bosnjën dhe Hercegovinën nga miratimi i një qëndrimi të unifikuar shtetëror për njohjen e Kosovës.
“Kjo tregon se Republika Srpska vazhdon të veprojë si një faktor destabilizues në rajon dhe si një zgjatim i ndikimit politik të Serbisë brenda Bosnjës dhe Hercegovinës.
Në të kundërtën, të gjitha shtetet e tjera pasardhëse të ish-Jugosllavisë, Kroacia, Sllovenia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duke pranuar realitetin politik dhe duke kontribuar në paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal”, shkroi në X, Imeri.
“Prandaj, mosnjohja e Kosovës nga Bosnja dhe Hercegovina nuk pasqyron një konsensus në të gjithë shtetin, por përkundrazi pengimin politik të ushtruar nga Republika Srpska, qëndrimet e së cilës mbeten të përafërta me ato të Beogradit ”, shtoi Imeri.
