Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka ngritur akuza të ashpra ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke pretenduar se po përpiqen të uzurpojnë institucionet e vendit. Gjini ka thënë se Kosova ndodhet në një nga periudhat më të vështira politike, duke theksuar se sipas tij vendi aktualisht përballet me mungesë të institucioneve funksionale.
“Sot Kosova s’ka president, s’ka as ushtrues detyre të presidentit. S’ka kryeministër legal e as në detyrë legal, s’ka as ministra legal. E ka vetëm një person që e ka uzurpuar pushtetin në Kosovë”, ka deklaruar Gjini. Ai ka kritikuar proceset politike pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke akuzuar LVV-në për zvarritje të krijimit të institucioneve dhe shkelje të vazhdueshme kushtetuese.
“Ju kujtohet 9 shkurti dhe rezultati zgjedhor. Ju kujtohet maskarallëku disa muajsh me zvarritje të krijimit të institucioneve. Ju kujtohen shkeljet e vazhdueshme kushtetuese. Sot, pa asnjë arsye logjike, shtetformuese e patriotike, hymë në krizë”, është shprehur ai.
Sipas Gjinit, situata aktuale nuk mund të përkufizohet ndryshe përveçse si “grushtshtet i brendshëm”, duke pretenduar se legjitimiteti i fituar në zgjedhje po përdoret për të marrë kontroll mbi institucionet.
“S’ka emër tjetër kjo situatë, përveç grushtshtet të brendshëm, që realizohet prej njerëzve që në mënyrën më brutale po e shfrytëzojnë legjitimitetin e brishtë për të uzurpuar institucionet e shtetit”, ka shtuar kryetari i AAK-së.
