Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës dhe këshilltari politik për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, Ragmi Mustafi, ka reaguar ndaj deklarimeve të drejtorit të Shërbimit të Trupit Koordinues, duke e akuzuar atë se ka dëshmuar se pasivizimi i adresave në Bujanoc ka ndikim të drejtpërdrejtë në peshën politike të shqiptarëve.
Mustafi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se deklaratat e zyrtarit serb kanë nxjerrë në pah, sipas tij, dy aspekte të politikës së pasivizimit të adresave. “Me këtë reagim, z. Mitrovic, ju si drejtor i Shërbimit të Trupit Koordinues zbuluat dy të vërteta që institucionet e Serbisë janë përpjekur t’i fshehin prej vitesh”, ka shkruar Mustafi.
Sipas tij, pasivizimi i adresave nuk lidhet vetëm me çështje administrative, por edhe me numrin e votuesve shqiptarë në Bujanoc. “E para, se pasivizimi i adresave nuk ka të bëjë vetëm me ‘rregullimin’ e evidencave administrative, por me zvogëlimin e peshës elektorale të shqiptarëve në një komunë ku ata përbëjnë rreth 62% të popullsisë”, ka deklaruar ai.
Mustafi ka pretenduar gjithashtu se ky proces drejtohet nga institucionet shtetërore të Serbisë. “E dyta, se ky mekanizëm nuk zhvillohet rastësisht dhe as vetvetiu, por dirigjohet, gjenerohet dhe zbatohet drejtpërdrejt nga institucionet shtetërore”, ka shkruar ai.
Ai ka kritikuar zyrtarin për fokusin te numri i votuesve, duke thënë se kjo, sipas tij, tregon se çështja nuk ka të bëjë vetëm me adresat. “Ju folët për numrin e votuesve. Pra, e treguat vetë se halli nuk është adresa. Halli është vota shqiptare”, ka shkruar Mustafi.
Më tej, ai e ka cilësuar politikën e pasivizimit si “një qasje antishqiptare dhe çnjerëzore”, duke pretenduar se ajo synon të ndikojë në regjistrat administrativë, listat zgjedhore dhe përfaqësimin politik të shqiptarëve në Bujanoc. “Adresat nuk pasivizohen vetë. Procedurat i nisin institucionet. Kontrollet i kryen policia. Vendimet i nxjerr shteti.
Pasojat i bartin shqiptarët”, ka thënë Mustafi. Në fund, ai ka kërkuar ndalimin e pasivizimit të adresave dhe kthimin e adresave që, sipas tij, janë fshirë padrejtësisht. “Raportet i keni lexuar: ndaleni pasivizimin dhe ktheni adresat e fshira padrejtësisht. Këtë praktikë të spastrimit administrativ e kemi denoncuar nga Washingtoni në Bruksel”, ka shkruar Mustafi.
