Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj për dështimin e seancës së sotme për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. PDK thekson se moskonstituimi i Kuvendit përbën vazhdim të bllokadës institucionale nga ana e Kurtit, në kundërshtim me frymën dhe detyrimet e përcaktuara nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Seanca e sotme dëshmoi qartë se zvarritja e krijimit të institucioneve nuk është pasojë e rrethanave apo e mungesës së votave, por rezultat i një zgjedhjeje politike të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit. Sot nuk kishte asnjë arsye që të mos propozohej kandidati për Kryetar të Kuvendit dhe të procedohej me votimin për konstituimin e tij.
Aq më tepër kur Gjykata Kushtetuese ka qenë e qartë në aktgjykimin e saj se Kuvendi jo vetëm duhet të mblidhet, por duhet të konstituohet brenda afatit 30-ditor nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve”, thuhet në njoftim.
Ndërpritet seanca, Kurti nuk prezanton emër për kryeparlamentar – kërkon kohë shtesë për marrëveshje politike PDK thekson se mosveprimi i sotëm përbën shpërfillje të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues dhe të detyrimeve që burojnë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. “Askush nuk është mbi Kushtetutën dhe askush nuk ka të drejtë të mbajë peng institucionet e Republikës për interesa partiake.
Partia Demokratike e Kosovës rithekson se Kosova ka nevojë urgjente për institucione funksionale, stabilitet politik dhe respektim të plotë të Kushtetutës.
PDK i bën thirrje Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit që të respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, të heqin dorë nga bllokada institucionale dhe të mundësojnë menjëherë konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje.
