Në fillim ishte Cristiano Ronaldo. Kur Real Madridi e transferoi portugezin, nuk e bleu vetëm një futbollist, por një markë që do të garantonte sukses sportiv dhe ekonomik për shumë vite. Ndryshe nga yje si Kaká, Zinedine Zidane apo Roberto Carlos, CR7 u mendua si një investim afatgjatë, që më pas u shit pothuajse për të njëjtën shifër me të cilën ishte blerë.
Përtej pagës së tij, ai rezultoi një operacion jashtëzakonisht fitimprurës,. A do të ndodhë e njëjta gjë me Diomanden? Tani, Real Madridi shpreson ta përsërisë këtë formulë me Yan Diomanden. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, vetëm dy vite më parë luante futboll në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më pas u transferua te Leganés, ku qëndroi një sezon, për t’u shitur më pas për 20 milionë euro.
Kur transferimi i tij te Real Madridi të zyrtarizohet, shifra totale do të arrijë në 140 milionë euro: 125 milionë euro fikse, 10 milionë euro bonuse lehtësisht të arritshme dhe 5 milionë euro bonuse të tjera më të vështira. Një investim gjigant për një futbollist që i mbush 20 vjeç vetëm në muajin nëntor dhe që konsiderohet si një projekt për të paktën 15 vitet e ardhshme.
Sigurisht, jo çdo investim i madh ka rezultuar i suksesshëm për madrilenët. Rasti i Kakás në të kaluarën, apo edhe ai i Mastantuonos së fundmi, tregojnë se jo gjithmonë shpenzimet e mëdha garantojnë sukses.
Megjithatë, në rastin e Diomandes, Real Madridi po e bën një bast të ngjashëm me atë që e bëri dikur për Cristiano Ronaldon: një investim rekord për një talent që pritet të jetë fytyra e klubit për shumë vite. Mbetet të shihet nëse afrimi i tij do t’ia marrë vendin njërit prej yjeve aktualë të skuadrës, një skenar që konsiderohet pothuajse i pashmangshëm.
