Shawn Mendes e ka bërë zyrtare lidhjen e tij me të dashurën, Bruna Marquezine. Të martën, më 4 gusht, këngëtari i nominuar për çmimin Grammy festoi 31-vjetorin e të dashurës së tij me një dedikim emocional në Instagram. “Gëzuar ditëlindjen, zemra ime” , shkroi ai në fillim të mbishkrimit. “Ti je një dritë në çdo dhomë ku hyn.
Pa u bërë shumë sentimental, ti ma ke ndryshuar vërtet jetën dhe jam jashtëzakonisht mirënjohës që të kam,” vazhdoi këngëtari 27-vjeçar. Postimi i Mendes përfshinte video të tij dhe Marquezine në Casa Amarela Providência, në Rio de Janeiro. Në videon e parë, aktorja dhe modelja pritej nga një grup fëmijësh të emocionuar, të cilët vrapuan për ta përqafuar.
Në një tjetër video, Marquezine këndonte dhe kërcente, ndërsa fëmijët dukej se i këndonin këngën e ditëlindjes. Postimi përmbante edhe shumë momente të lumtura të çiftit. Për herë të parë u përfol se dyshja ishin në një lidhje në dhjetor të vitit të kaluar, sipas Page Six.
Gjatë tetë muajve që pasuan, ata janë fotografuar së bashku në Shtetet e Bashkuara dhe në Brazil, vendlindjen e Marquezine. Mendes mbahet në mend më së miri nga publiku kosovar prej vitit të kaluar, kur ishte headliner në festivalin Sunny Hill. Kurse për fansat e Neymar Jr, emri Bruna Marquezine nuk duhet të jetë i padëgjuar.
Modelja ishte në lidhje me futbollistin brazilian përgjatë viteve 2013-2018.
