Ushtria izraelite ka bërë të ditur se do të vazhdojë operacionet në Rripin e Gazës, duke theksuar se do të veprojë “në mënyrë proaktive” për “eliminimin e kërcënimeve”.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Eyal Zamir, i bëri këto deklarata gjatë një vizite operative në Gaza, ku u takua me komandantë të lartë ushtarakë për të marrë informacione mbi situatën në terren. “Në Rripin e Gazës kemi goditur Hamasin, e kemi dobësuar ndjeshëm dhe kemi ndryshuar situatën e sigurisë.
IDF do të vazhdojë të veprojë në mënyrë proaktive, në përputhje me parimin tonë – eliminimin e kërcënimeve dhe mbrojtjen e komuniteteve dhe banorëve të tyre”, tha Zamir, raporton Euronews, transmeton Sinjali.
Deklarata e tij vjen pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli nuk ka rënë dakord me një plan të mbështetur nga SHBA-ja për Gazën, i cili parashikon tërheqjen e forcave izraelite nga disa zona dhe çarmatimin e Hamasit. “Presidenti Trump dhe ekipi i tij mendojnë se mund ta bindin Hamasin të çarmatoset dhe të çmilitarizohet në Gaza. Ne po e shqyrtojmë këtë.
Na kanë dërguar një draft, por ne nuk kemi rënë dakord. Nuk është drafti ynë, ne kemi dërguar komentet tona”, deklaroi Netanyahu. Presidenti amerikan Donald Trump kishte njoftuar javën e kaluar se ishte arritur një marrëveshje që ai e cilësoi “historike”, për “çarmatimin e plotë të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura në Gaza”.
Sipas planit, forcat izraelite do të tërhiqeshin nga territori, ndërsa një forcë ndërkombëtare stabilizimi, së bashku me një njësi të re policore palestineze, do të merrte përgjegjësi për administrimin e Gazës. Ekspertë ndërkombëtarë kanë vlerësuar se zbatimi i një marrëveshjeje të tillë do të kërkonte presion të madh ndaj të gjitha palëve, përfshirë Hamasin dhe qeverinë izraelite.
Lufta Izrael–Gaza nisi pas sulmit të Hamasit më ndaj Izraelit, ku u vranë mbi 1 mijë e 200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng në Gaza. Fushata ushtarake izraelite që pasoi, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, ka shkaktuar mbi 73 mijë të vdekur. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
