Debati mbi rindarjen administrativo – territoriale të vitit 2026 është rikthyer me intensitet në tryezat politike, administrative dhe akademike.
Pas më shumë se një dekade nga zbatimi i Reformës Administrativo-Territoriale të vitit 2015, e cila e konsolidoi organizimin vendor të Republikës së Shqipërisë në 61 bashki, dokumentet e reja të politikave publike synojnë një rishikim të mëtejshëm të strukturës territoriale, me reduktimin e numrit të njësive vendore në rreth 46 – 47 bashki.
Nga ana tjetër, alternativa të tjera politike propozojnë një decentralizim më të theksuar përmes rritjes së numrit të bashkive, deri në 100 njësi vendore, ndërsa shoqëria civile kërkon që reforma të fokusohet te cilësia e shërbimeve publike, përfaqësimi qytetar dhe fuqizimi i autonomisë vendore.
Megjithatë, përtej retorikës politike dhe debateve të momentit, pyetja themelore metodologjike mbetet: A po mbështetet kjo reformë mbi kritere rigoroze shkencore gjeografike, hartografike dhe hapësinore, apo rrezikon të mbetet përsëri e ndikuar kryesisht nga llogaritjet fiskale dhe nevojat administrative afatshkurtra? 1. Analiza e propozimeve aktuale: dominimi i aritmetikës buxhetore.
Nëse analizohen dokumentet orientuese të reformës së propozuar, vërehet se një pjesë e rëndësishme e argumentimit mbështetet në tregues të karakterit financiar – funksional, të kombinuar me të dhënat e Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2023.
Të dhënat tregojnë se në një numër të konsiderueshëm bashkish të vogla, veçanërisht në ato me më pak se 10 mijë banorë, pjesa më e madhe e buxhetit vendor absorbohet nga shpenzimet korrente për paga, administratë dhe mirëmbajtje, duke lënë hapësirë të kufizuar për investime kapitale në infrastrukturë dhe zhvillim ekonomik. Në pamje të parë, ky argument paraqitet racional dhe pragmatik.
Megjithatë, nga këndvështrimi i gjeografisë kuantitative, gjeodezisë dhe planifikimit territorial, një qasje e tillë paraqet një reduktim të tepruar të kompleksitetit të territorit. Një njësi administrative nuk është thjesht një “qendër kostoje” apo një strukturë financiare; ajo përfaqëson një sistem kompleks gjeografik, social, ekonomik, mjedisor dhe kulturor.
Rreziku kryesor i kësaj qasjeje është se një problem fiskal – administrativ po tentohet të zgjidhet përmes një procesi aritmetik të ndryshimit të kufijve në hartë, pa u paraprirë nga një analizë e thelluar hapësinore dhe funksionale e territorit. 2. Kriteret shkencore të munguara në modelin e propozuar.
Për të garantuar që një rindarje territoriale të jetë e qëndrueshme, efikase dhe funksionale për dekadat e ardhshme, ajo duhet të mbështetet në një kuadër të plotë analitik, i cili përfshin tregues shkencorë hapësinorë. Disa prej këtyre kritereve janë: – Aksesueshmëria hapësinore dhe analiza e izokroneve (koha e udhëtimit).
Kufijtë e rinj administrativë nuk duhet të përcaktohen vetëm mbi bazën e numrit të banorëve, por edhe mbi analizën e rrjetit rrugor, relievit, kushteve të transportit dhe kohës reale të lëvizjes së qytetarëve drejt qendrave administrative. Në zonat malore dhe me reliev të thyer, distanca lineare në kilometra nuk përputhet domosdoshmërisht me kohën e udhëtimit.
Për këtë arsye, analiza e izokroneve është një instrument i domosdoshëm për përcaktimin e kufijve funksionalë. – Modelimi i gravitetit socio-ekonomik. Gjeografia moderne përdor modele të gravitetit hapësinor, si modeli i Reilly-t dhe modeli i Huff-it, për të përcaktuar marrëdhëniet funksionale midis qendrave urbane dhe zonave përreth.
Këto modele analizojnë drejtimet natyrore të lëvizjes së popullsisë, tregtisë, punësimit, arsimit dhe shërbimeve shëndetësore. Bashkimi mekanik i disa njësive administrative, pa analizuar këto lidhje funksionale, mund të krijojë territore artificiale dhe joefikase. 3. Morfometria dhe hidrografia e territorit.
Kufijtë administrativë duhet, sa herë që është e mundur, të respektojnë njësitë natyrore gjeografike: pellgjet ujëmbledhëse, kurrizoret malore, njësitë morfologjike dhe strukturat ekologjike homogjene. Një qasje e tillë krijon mundësi për menaxhim më të mirë të burimeve natyrore, mbrojtjen nga rreziqet natyrore, menaxhimin e ujërave dhe përballimin e emergjencave civile. 4.
Treguesit e disproporcionalitetit dhe përfaqësimit demokratik. Riorganizimi territorial ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në gjeografinë elektorale. Çdo reformë duhet të shoqërohet me analiza matematikore të shpërndarjes së popullsisë, përfaqësimit politik dhe shmangies së pabarazive të theksuara midis territoreve të ndryshme. 3. Rruga drejt një rindarje shkencore dhe funksionale.
Për të shmangur ciklin e reformave të pjesshme që kërkojnë korrigjim pas çdo dekade, Shqipëria ka nevojë për një metodologji të bazuar në shkencën moderne të Sistemeve të Informacionit Gjeografik (GIS) dhe analizën hapësinore shumëkriterëshe (Multicriteria Spatial Decision Analysis). Procesi duhet të zhvillohet në disa faza kryesore: Faza 1: Ndërtimi i matricës hapësinore GIS.
Kjo fazë kërkon integrimin e të dhënave demografike të Censusit 2023 me shtresat digjitale të topografisë, përdorimit të tokës, rrjetit rrugor, burimeve natyrore dhe Infrastrukturës Kombëtare të të Dhënave Hapësinore (NSDI). Faza 2: Analiza e izokroneve dhe rrezes së shërbimit.
Përcaktimi i kufijve administrativë duhet të bazohet në aksesueshmërinë reale të qytetarëve, duke synuar që qendrat administrative të jenë të arritshme brenda një kohe të arsyeshme udhëtimi, përgjithësisht rreth 30 – 45 minuta nga zonat e banuara. Faza 3: Vlerësimi i potencialit zhvillimor dhe fizibilitetit territorial.
Njësitë e reja administrative duhet të analizohen sipas potencialeve të tyre ekonomike dhe natyrore: burimeve ujore, tokës bujqësore, potencialeve turistike, pasurive natyrore dhe aftësisë për zhvillim të qëndrueshëm. Faza 4: Hartografia pjesëmarrëse dhe konsultimi publik.
Përdorimi i hartave interaktive digjitale (Participatory GIS) do t’u mundësonte komuniteteve vendore të shohin, analizojnë dhe komentojnë variantet e propozuara përpara miratimit ligjor të reformës. Përfundim. Reforma e re administrativo – territoriale e vitit 2026 nuk duhet të reduktohet në një kompromis politik apo në një ushtrim kontabël për uljen e shpenzimeve administrative.
Një ndarje territoriale është funksionale vetëm atëherë kur kufijtë administrativë pasqyrojnë realitetin gjeografik, strukturën socio – ekonomike, lidhjet funksionale të territorit dhe nevojat reale të qytetarëve.
Shqipëria ka nevojë që vendimmarrja politike t’i hapë rrugë analizës shkencore hapësinore, hartografike dhe gjeografike, duke përdorur teknologjitë moderne të informacionit hapësinor për ndërtimin e një territori më të balancuar, më funksional dhe më të qëndrueshëm.
Reforma territoriale nuk duhet të jetë vetëm një ndryshim kufijsh në hartë; ajo duhet të jetë një projekt shkencor për organizimin e së ardhmes së territorit shqiptar.
