Po afrohet data e fundit për formimin e institucioneve të Shtetit të Kosovës pas zgjedhjeve të fundit, të cilat e kanë humbur katërcipërisht arsyen dhe kuptimin e tyre. Ky është testi i fundit që këto të ashtuquajtura parti politike të marrin përgjegjësi, në mënyrë që në mbledhjen e parë konstituive të Parlamentit të Kosovës t’i zgjedhin institucionet e reja.
Nuk ka më asnjë justifikim nga grupet e caktuara te interesi të kalkulojnë me fatin e Kosovës për t’i mbrojtur interesat personale, grupore, klanore e partiake, duke e degraduar imazhin e shtetit. Boll më me eskivime, hile e mashtrime, të cilat e kanë sjellë në buzë të greminës imazhin e qytetarëve dhe të vetë Republikës.
Deklaratave të papërgjegjshme dhe destruktive të partive të caktuara, se do të qëndrojnë në opozitë, si dhe kërkesave të partive të tjera për parakushte ekstreme, u ka ardhur fundi. Të gjithë, si pozita ashtu edhe opozita, kanë përgjegjësi dhe obligim ta shpëtojnë vendin nga krizat e njëpasnjëshme politike.
Qytetarët e Kosovës, për shkak të këtyre tekeve, kalkulimeve dhe interesave partiake, të cilat e kanë tensionuar skajshmërisht gjendjen politike dhe institucionale në Kosovë, po e presin momentin e fundit. Nëse edhe kësaj radhe dështon formimi i institucioneve të shtetit, ata do të dalin në protesta, të cilat mund të sjellin pasoja dramatike për vendin.
Këto parti politike janë bërë të neveritshme dhe populli, sa më shpejt, duhet t’i dërgojë në arkivat e historisë, duke i kujtuar për imazhin më të rrënuar që kanë lënë gjatë veprimtarisë së tyre.
Në fund, duhet ta dinë mirë këta të ashtuquajtur deputetë të Parlamentit të Kosovës se, nëse dështon apo bllokohet themelimi i institucioneve të shtetit, do të mbajnë përgjegjësi dhe pasoja jo vetëm para qytetarëve të Republikës së Kosovës, por duhet të skuqen e të turpërohen edhe para rrethit dhe familjeve të tyre.
Boll më me këto kalkulime të turpshme partiake, të cilat e kanë polarizuar deri në majën e piramidës stabilitetin e vendit dhe jetën normale të qytetarëve. Përgjegjësinë për krijimin e kësaj situate e mban edhe Gjykata Kushtetuese, e cila e ka humbur integritetin e saj moral dhe kushtetues.
