Arsenali pritet të intensifikojë përpjekjet për të transferuar një mbrojtës qendre dhe një sulmues para mbylljes së afatit kalimtar të verës, por objektivi i tyre, Ezri Konsa, ndiqet edhe nga Liverpooli. “Topçinjtë” tashmë kanë shitur Christian Norgaardin te Evertoni për 7 milionë funte, ndërsa janë pranë finalizimit të transferimit të mesfushorit Bruno Guimaraes nga Newcastle United.
Ndërkohë, prioritet për drejtuesit e klubit është bërë edhe përforcimi i mbrojtjes, pasi William Saliba pritet të mungojë për një periudhë të gjatë për shkak të një dëmtimi në shpinë. Sipas The Guardian , Arsenali po monitoron nga afër mbrojtësin e Aston Villës, Ezri Konsa.
Megjithatë, londinezët do të përballen me konkurrencën e Liverpoolit, që gjithashtu e ka në listën e dëshirave reprezentuesin anglez. Edhe Liverpooli po përballet me probleme në repartin defensiv.
Virgil van Dijk ende nuk i është bashkuar skuadrës pas angazhimit në Kupën e Botës, Jeremy Jacquet vazhdon të jetë i dëmtuar, Giovanni Leoni është ende në fazën e rikuperimit nga këputja e ligamentit të kryqëzuar, ndërsa Joe Gomez pësoi një dëmtim që në ndeshjen e parë miqësore të verës ndaj Sunderlandit.
Aston Villa raportohet se e vlerëson Konsan rreth 60 milionë funte, por Arsenali nuk është i gatshëm të paguajë këtë shumë, sidomos duke pasur parasysh se mbrojtësi ka më pak se dy vjet të mbetura në kontratën e tij aktuale.
