“Varrezat masive po zbulojnë edhe një arsye pse Serbia nuk e lëshoi

0%

Autoritetet ligjzbatuese në Kosovë njoftuan të dielën se kanë zbuluar një lokacion të ri në Zubin Potok, ku dyshohet se ndodhen mbetje mortore të personave të zhdukur gjatë luftës. Në një komunikatë të përbashkët, Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale thanë se lokacioni u identifikua në fshatin Jabukë, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për rastin në Zubin Potok.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se deri më tani nga ky lokacion janë zhvarrosur katër trupa. Profesori Gurakuç Kuçi, thotë se zbulimet e reja të lokacioneve të dyshuara për varreza masive shtrojnë dyshime nëse kontrolli i vazhdueshëm i Serbisë mbi veriun e Kosovës ka shërbyer edhe për fshehjen e gjurmëve të krimeve të luftës.

Ai kritikon mungesën e bashkëpunimit të Serbisë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe përmend rehabilitimin e figurave të lidhura me njësitë e akuzuara për krime gjatë luftës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Sa herë që në veri të Kosovës zbulohet një lokacion i ri ku dyshohet për varreza masive, bëhet gjithnjë e më e vështirë të mos shtrohet një pyetje: a ishte një nga arsyet e kontrollit të vazhdueshëm të Beogradit mbi veriun edhe fshehja e gjurmëve të krimeve të luftës?

Për më shumë se dy dekada, Serbia investoi në mbajtjen e veriut nën ndikimin e strukturave të saj paralele dhe grupeve kriminale të udhëhequra nga Milan Radoiçiq. Kjo u justifikua me retorikën e “mbrojtjes së popullit serb”.

Por zbulimi i një lokacioni të dytë të dyshuar si varrezë masive ngre një dimension tjetër, shumë më të rëndë: mundësinë që ky kontroll të ketë shërbyer edhe për të penguar zbulimin e plotë të krimeve të luftës. Në vend që të ndihmojë në zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe të hapë arkivat ushtarake e policore, Serbia po dërgon mesazhe krejt të kundërta.

Ivica Daçiq inauguroi monumentin për Brigadën e 37-të të Motorizuar, një brigadë e lidhur me disa nga krimet më të rënda të dokumentuara kundër civilëve shqiptarë në Kosovë, duke deklaruar se ushtarët e saj ishin “heronj të luftës” dhe jo kriminelë” , thotë ai.

Kuçi thotë se reagimet e zyrtarëve serbë ndaj zbulimit të varrezave masive dhe glorifikimi i njësive të lidhura me krime lufte tregojnë mungesë vullneti për përballje me të kaluarën. Sipas tij, sulmet ndaj atyre që ndihmojnë në zbardhjen e fatit të të zhdukurve pengojnë drejtësinë. Ai përmend edhe zbulimin e dy lokacioneve të dyshuara për varreza masive në Zubin Potok.

“Pak ditë më vonë, ai sulmoi edhe serbët që u tregojnë shqiptarëve dhe kroatëve vendndodhjen e varreve të shqiptarëve në Serbi. Në vend që të inkurajohet zbardhja e së vërtetës, edhe dëshmia trajtohet si tradhti.

Në të njëjtën kohë, bashkëpartiakja dhe bashkëqeveritarja e tij, Snezhana Paunović, deklaroi se po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën. Daçiq nuk u distancua nga kjo deklaratë.

Kur një shtet glorifikon njësitë e lidhura me krime lufte, mbron deklarata për spastrim etnik dhe sulmon ata që ndihmojnë në zbulimin e varrezave masive, atëherë nuk kemi të bëjmë vetëm me mohim të së kaluarës.

Kemi të bëjmë me një politikë që vazhdon të mbrojë autorët, të pengojë drejtësinë dhe të shpërndajë mendësinë se “kush bënë krime kundër shqiptarëve nuk do të ndiqet penalisht, por do të shpallet hero”. P.S. Brenda pak ditësh janë identifikuar dy lokacione të dyshuara si varreza masive në veri të Kosovës.

Rasti i parë lidhet me gërmimet në Kalludër të Vogël në Zubin Potok, pas arrestimit të dy të dyshuarve për krime lufte, ku dyshohet se mund të gjenden mbetjet e një pjese të 23 shqiptarëve të rrëmbyer në prill 1999.

Ndërkohë, është identifikuar edhe një lokacion i dytë në Jabukë, po ashtu në Zubin Potok, duke shtuar dyshimet se në veri ende ekzistojnë vende ku janë fshehur viktimat e luftës dhe që presin të zbulohen ”, përfundon ai.

Burimi: Bota Sot