Një 81-vjeçar është arrestuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën dyshimin se ka vrarë ish-bashkëshorten e tij 71-vjeçare, e cila vuante nga demenca, transmeton Sinjali. I dyshuari, Charles Buss, u arrestua më 16 korrik në Stone County të Missourit nga Shërbimi i Marshallëve të SHBA-së dhe më pas u ekstradua në Illinois, ku përballet me akuzën për vrasje të shkallës së parë.
Sipas autoriteteve, krimi dyshohet të ketë ndodhur pas një debati mes ish-bashkëshortëve lidhur me shpenzimet për kujdesin mjekësor të viktimës. Maryanne Buss-Kincaid kishte nevojë për kujdes të vazhdueshëm për shkak të gjendjes së saj shëndetësore, ndërsa një pjesë e shpenzimeve mbulohej nga vajza e tyre dhe vetë i dyshuari.
Rasti u zbulua më 5 prill, kur kujdestarja e 71-vjeçares e gjeti atë të pajetë në banesë dhe njoftoi policinë. Sipas mjekësisë ligjore, viktima kishte humbur jetën nga dy plagë me armë zjarri në pjesën e pasme të kokës, ndërsa vdekja u cilësua si vrasje.
Hetimet zbuluan se Buss kishte qëndruar në Oak Lawn në kohën kur dyshohet se është kryer krimi, përpara se të kthehej në Missouri, ku banonte. Prokuroria ka bërë të ditur se disa ditë para ngjarjes kishte ndodhur një përplasje për çështje financiare.
Kujdestarja, e cila ishte dëshmitare e debatit, deklaroi se 81-vjeçari kishte thënë se do t’i “lante duart nga gjithçka” dhe më pas i kishte kërkuar asaj të mos kthehej në banesë për dy ditë. Kur ajo u rikthye, e gjeti 71-vjeçaren pa shenja jete.
Ndërkohë, avokatët mbrojtës kanë mohuar akuzat, duke theksuar se klienti i tyre nuk ka precedentë penalë dhe ka shërbyer më parë në ushtri, si dhe ka pasur një karrierë të gjatë si zjarrfikës dhe marangoz. Ata pretendojnë se provat kundër tij janë të pamjaftueshme, pretendime që pritet të shqyrtohen gjatë procesit gjyqësor. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
