Ish- polici serb: Serbia e burgos të vërtetën, në vend se t’i burgos

0%

Ish-polici serb Jovan Goluboviq ka reaguar ashpër pas arrestimit të Ranko Tepavcit në Kraljevë nën dyshimet për spiunazh, duke e cilësuar rastin si “pasqyrë të një sistemi ku e vërteta shihet si kërcënim më i madh se vetë krimi”.

Në një shkrim publik, Goluboviq deklaron se në Serbi “krimineli fle i qetë, ndërsa dëshmitari jeton nën frikë”, duke akuzuar institucionet se nuk ndjekin autorët e krimeve të luftës, por ata që guxojnë të dëshmojnë për to.

Ai thotë se edhe vetë është dëshmitar i krimeve të luftës dhe pyet publikisht pse nuk është arrestuar Jovica Utviq, për të cilin pretendon se ekzistojnë akuza të rënda për vrasjen e shqiptarëve të zënë rob pasi u ishin marrë stolitë dhe paratë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Goluboviq kritikon ashpër edhe autoritetet shtetërore serbe, duke përmendur ministren Snezhana Paunoviq, presidentin e Serbisë dhe ministrin e Punëve të Brendshme Ivica Daçiç. Sipas tij, ata po i quajnë “spiunë” personat që zbulojnë varrezat masive, ndërsa ata që kërkojnë heshtjen shpallen patriotë.

“Ndoshta problemi nuk është krimi, por ai që e zbulon krimin”, shkruan ai, duke shtuar se “heshtja që mbron krimin nuk është paqe, por bashkëfajësi”.

Në fund të reagimit të tij, ish-polici serb u bën thirrje studentëve të mos kenë frikë nga e vërteta, por nga “shtetet që e burgosin atë”, duke theksuar se një shtet që ndjek dëshmitarët në vend të autorëve të krimeve “nuk mbron drejtësinë, por heshtjen”.

Shkrimi i plotë: Serbia e burgos të vërtetën, në vend se t’i burgos kriminelët e luftës Është e rëndë të jesh dëshmitar i krimeve të luftës në një shtet ku e vërteta trajtohet si armik i kombit dhe i vetë shtetit. Është e rëndë të jetosh në Serbi, ku krimineli fle i qetë, ndërsa dëshmitari jeton nën frikë.

Është e vështirë të jetosh në një vend ku drejtësia nuk i ndjek autorët e krimeve, por ata që guxojnë t’i dëshmojnë ato. Prandaj arrestimi i Ranko Tepavcit në Kraljevë, nën akuzën për spiunazh, nuk është përjashtim. Ai është pasqyra e një sistemi ku rrëfimi i së vërtetës shihet si kërcënim më i madh se vetë krimi. Sepse krimet mund të fshihen, të mohohen ose të relativizohen.

Por dëshmitë mbeten. Ato mbijetojnë edhe atëherë kur pushteti përpiqet t’i varrosë bashkë me viktimat. Këtë e di më mirë se shumë të tjerë, sepse edhe unë jam një nga dëshmitarët e atij krimi monstruoz. Po Jovica Utviqin, a e keni arrestuar?

Apo ai vazhdon të ecë i lirë, ndonëse përballë tij janë ngritur akuza të rënda se ka vrarë shqiptarë të zënë rob, pasi më parë u kishte marrë stolitë dhe paratë? Ndoshta problemi nuk është krimi. Ndoshta problemi është ai që e zbulon krimin. Pastaj na thuhet se policia nuk ka marrë pjesë në masakër. Sigurisht. Ajo “vetëm” organizoi heshtjen.

“Vetëm” u kujdes që të vdekurit të mos kishin zë. “Vetëm” ndihmoi që e vërteta të varrosej bashkë me viktimat. Sa e përshtatshme! Sepse ka nga ata që besojnë se, nëse varroset e vërteta, bashkë me të varroset edhe përgjegjësia. Ministrja Paunović vazhdon të flasë, presidenti hesht, ndërsa ministri Daçić spiunë i quan ata që zbulojnë varrezat masive.

Kështu, sipas kësaj logjike të përmbysur, ai që tregon vendin ku prehen viktimat përfundon në burg, ndërsa ai që kërkon që viktimat të mbeten në harresë shpallet patriot, madje hero i kombit serb. Kjo është një matematikë politike që nuk mësohet në universitete. Ajo kultivohet vetëm në një sistem ku kujtesa konsiderohet armike, ndërsa harresa shpërblehet.

Të dashur studentë, mos kini frikë nga e vërteta. Kini frikë nga shtetet që e burgosin atë. Sepse një shtet që ndjek dëshmitarët në vend të autorëve të krimeve nuk mbron drejtësinë. Ai mbron heshtjen. Dhe heshtja që mbron krimin nuk është paqe. Ajo është bashkëfajësi.

Burimi: Bota Sot